Rëndohen pozitat e Belinda Ballukut, GJKKO e pezullon nga detyra si zv/kryeministre dhe i bllokon pasaportën, ja…

Rigels Seliman
Numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, nga dje nuk mund të ushtrojë më kompetencat e saj si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Pasi u mor e pandehur për tenderin e Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro, Belinda Balluku akuzohet edhe për shkelje me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe, me vlerë 20 mln euro. Me një vendim gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), Erion Çela, vetëm një ditë më parë, ndaj Ballukut janë caktuar dy masa sigurie, ajo pezullimit nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, çka do të thotë që i është bllokuar edhe pasaporta. Prokuroria e Posaçme (SPAK) informoi dje gjatë një reagimi për mediat se të dyja masat i janë komunikuar zv/kryeministres.
Po ashtu janë ekzekutuar edhe dy masa arrest në shtëpi për dy vartësit e saj, kreun e ARRSH Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, aktualisht drejtori i KESH. Vendimi i GJKKO-së është marrë me kërkesë të prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Për të dy tenderët, me vlerë totale prej 210 milionë eurosh, SPAK thotë se Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Brenda 72 orëve Balluku dhe zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë. Pak pas mesditës së djeshme Balluku u pa të hyjë në Kryeministri. Makina zyrtare që e shoqëroi u largua në mbrëmje vonë, pak pasi kryeministri la selinë e qeverisë për të marrë pjesë në darkën me komisioneren e Zgjerimit Marta Kos, të cilën e kishte pritur pasdite dhe në zyrën e tij. Mbetet mister mbi orët e gjatë që Balluku kaloi në Kryeministri, ku pasdite u pa të hynte dhe ish ministri i Drejtësisë, kryetari aktual i Komisionit parlamentar të ligjeve.
Njoftimi i plotë i SPAK
“Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

Hetimet
E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”. Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i  Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, me fond limit 2,096,958,794,70 lekë pa TVSH, ka rezultuar se  e pandehura  Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave. E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k.
Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit  janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin  nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal:

Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.
Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë:, njoftoi dje SPAK.