Altin Dumani vizitë dyditore në Bruksel, BE mbështet fuqishëm SPAK në luftën kundër krimit të organizuar e…

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Bruksel. Vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me agjencitë e BE-së, vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Dumani u takua me zyrtarë të lartë të BE-së Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe Alexander Winterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Ndërkohë, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato ka thënë se Bashkimi Evropian do të jetë mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke u dërguar mesazhin e fortë armiqve të reformës në drejtësi. Sipas tij, rezultatet e SPAK janë kyçe për sigurinë e Shqipërisë e për forcimin e sundimit të ligjit. “BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre”, deklaroi ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Reagon SHBA
Ndërkohë edhe Uashingtoni mbështet fuqishëm Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar këtë të hënë pas përfundimit të mbylljes së përkohshme të qeverisë amerikane për shkak të fondeve buxhetore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada rikujton edhe vizitën e muajit të kaluar të Drejtorit për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming. Nga ana tjetër në postim shihen pamjet nga takimet e Fleming, me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, kreun e SPAK Altin Dumani, ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe me prokurorin e SPAK Vladimir Mara. Pas përfundimit të mbylljes së qeverisë për shkak të fondeve buxhetore, jemi gati të vazhdojmë punën tonë normalisht! Në rast se e keni humbur, patëm kënaqësinë të mirëprisnim muajin e kaluar Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming, në Shqipëri. Drejtori Fleming u takua me udhëheqës nga i gjithë spektri politik, si dhe me institucione të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, për të theksuar partneritetin e fortë SHBA–Shqipëri, për të përforcuar gatishmërinë e NATO-s dhe për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare”, thuhet në postim.