Ansamblet folklorike me vallet, ritmet dhe traditat që na bashkojnë në 28 nëntor në Vlorë

Nga Julia Vrapi
Ansamblet folklorike shqiptare me vallet, ritmet dhe traditat, që na bashkojnë do të jenë në Vlorë. Ansamble nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe nga Ulqini- Mali i Zi në 28 nëntor, në sheshin pranë stadiumit, për të festuar në Vlorë. Pjesëmarrja e ansambleve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut  dhe Ulqini në Vlorë është dhe në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare. Java Kulturore Kombëtare nis aktivitetet e saj më 21 nëntor dhe vijojnë  deri në 5 datë dhjetor, Shqipëria bëhet qendra e krijimtarisë dhe dialogut kulturor. Në Vlorë më 28 nëntor do të jenë ansambli “Hazis Ndreu” nga Dibër-Tiranë, ansambli “Anamorava” Viti-Kosovë, ansambli “Trojet tona” nga Ulqini, Mal i Zi; grupi “Bilbili” Vlorë,  ansambli “Ibe Palikuqi” nga Shkupi- Maqedonia e Veriut, ansambli “Jahi Hasani” nga Gostivari- Maqedonia e Veriut, ansambli “Krahu i shqiponjës” Vlorë, grupi “Isa Boletini” Rogovë- Kosovë; ansambli “Rugova” nga Peja. Nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor në Shqipëri do të mbahet Java Kulturore Kombëtare, e cila përmbyll sezonin e katër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, ku këtë vit kanë marrë pjesë 21 shtete. Java Kulturore Kombëtare do të ketë një sërë aktivitetesh, ku pjesë e saj do të jenë edhe ansamblet folklorike më 28 nëntor në Vlorë. Pjesëmarrja e këtyre ansambleve pritet të jetë dhe një nga momente më të veçanta të aktiviteteve të Javës Kulturore Kombëtare. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Shpallja e Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
Java Kulturore Kombëtare
Java Kulturore Kombëtare, e cila mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nis me edicionin e parë të projektit Next Generation, më 21-22 nëntor në Bajram Curri në Tropojë. Next Generation synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova. Programi dyditor sjell forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive nga fusha e kinematografisë, muzikës, artit vizual, food design dhe trashëgimisë kulturore, me emra si Oda Haliti dhe Shpat Deda. Në vijim, më 21 deri më 23 nëntor, në Teatrin Metropol në Tiranë, jepet shfaqja “Komisar Daltoniko në Teatër”, një vepër në nder të Naun Shundit, me tekst të Giuseppe Della Misericordia dhe interpretim të aktorit Bujar Asqeriu. Po më 21 nëntor, ora 17:00, në Bibliotekën Kombëtare në qendrën “Sotir Kolea”, hapet ekspozita dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”.
Ndërkohë nga data 21-28 nëntor, ora 11:00, në Kalanë e Gjirokastrës hapet ekspozita “Prezantimi i Restaurimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit dhe Gjilanit”. Më 22 nëntor, ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet koncerti, “Zëri i Shpirtit Tim”, nën drejtimin e Sonila Babocit.  Më 26 nëntor, ora 17:30, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë shfaqet dokumentari “117” (1976), me regji të Besim Sahatçiut dhe fotografi të Afrim Spahiut. Më 27 nëntor, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor zhvillohet koncerti simfonik “Nëntori i dytë – Muzika e filmave shqiptar”, nën drejtimin e Gridi Krajës, me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së dhe Korin e TKOBAP. Nga 27 deri më 30 nëntor mbahet edicioni i dytë i Tirana Art Weekend.
Më 28 nëntor, Teatri “Petro Marko” në Vlorë sjell shfaqjen “Shqipëri i nëna ime”, në një program me këngë dhe valle popullore për nder të Festës së Pavarësisë. Po atë ditë, në sheshin “Tre Rracat”, ora 11:00, mbahet koncerti “Rinia në zemër të Vlorës”,  ndërsa në orën 16:00 Teatri “Petro Marko” pret një performancë nga Cirku Kombëtar. Më 30 nëntor, ora 19:00, zhvillohet koncerti festiv që bashkon Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë. Më 1 dhjetor, ora 19:00, në TKOBAP jepet shfaqja “Martesa” me regji të Norbert Rakowskit dhe me aktorët Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi. Më 2 dhjetor, ora 19:00, në Qendrën Kulturore të Korçës prezantohet fotodokumentari “Kosovarja” i artistit Afrim Hajrullahu,  një cikël fotografish nga vitet ’90 që dokumenton rolin thelbësor të grave të Kosovës gjatë periudhës së dhunës dhe rezistencës, me foto të realizuara në Has, Pejë dhe Prishtinë, për të vijuar me të tjerë aktivitete deri më datë 5 dhjetor.