Tabaku: Buxheti 2026 rrit barrën me 530 milionë euro, është për pakicën, jo për qytetarët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se buxheti 2026 sjell 530 milionë euro taksa të reja që do të paguhen nga qytetarët. “Qeveria mashtron kur thotë se nuk ka rritje taksash. Sot Shqipëria është më e varfër, më e vjedhur dhe më e korruptuar se 20 vite më parë”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, rritja e pagës minimale ka rritur automatikisht kontributet e sigurimeve, një kosto që bie plotësisht mbi shtresën e mesme dhe biznesin e vogël. Ndërsa rritja e çmimeve sjell 150-180 milionë euro të tjera vetëm nga TVSH-ja.
Deputetja demokrate foli edhe për raportin e OLAF që, sipas saj, e cilësonte Shqipërinë rast “të paprecedent” për vjedhjen e fondeve të BE-së. Ajo theksoi se fatura totale e inceneratorëve ka arritur në 430 milionë euro, të cilat po rëndojnë çdo vit mbi buxhet. Tabaku kritikoi edhe “paqen fiskale”, të cilën e quajti amnisti për bizneset e mëdha dhe klientelën përfituese të qeverisë, duke shtuar se 60% e bizneseve të vogla kanë dalë nga tregu për shkak të modelit aktual të taksimit. Sipas saj, ekonomia shqiptare ka hyrë në krizë strukturore: industria fason është në rënie, bujqësia ka pesë vite me regres dhe prodhimi është dobësuar. “Ky buxhet nuk është për qytetarët. Është një buxhet për pakicën. Prandaj PD do të votojë kundër dhe do të paraqesë alternativën e saj”, u shpreh Tabaku.