Deputeti i Partisë Demokratike Besart Xhaferri ka reaguar pas deklaratës së përfundimit të misionit të vjeshtës të FMN për Shqipërinë.
Xhaferri deklaron se Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë një shuplakë “Paqes Fiskale”.
Xhaferri citon FMN dhe deklaron se Fondi ka bërë thirrje për kujdes sa i përket rritjes së kredisë për pasuri të paluajtshme pasi ky është një projekt i qeverisë për të hapur dyert për paratë e narkotrafikut dhe korrupsionit.
“FMN shuplakë paqes fiskale e sheh vijim të amnistisë fiskale, u kërkon bankave të bëjnë kujdes me kreditë për pronat për shkak të narkoeuros!
Amnistia Fiskale ishte projekti i Edi Ramës për të hapur dyert e Shqipërisë për paratë e narkotrafikut, të cilat, së bashku me paratë e korrupsionit të dy mandateve të kësaj qeverie, u injektuan në ndërtim dhe në turizëm.
Edi Rama është përfituesi më i madh i injektimit të parave të narkotrafikut në ndërtim e turizëm, pasi ka monopolin e lejeve të ndërtimit në vend dhe çmimet e referencës i ka projektuar sipas interesave të klientëve të tij.
Në një kohë që kullat kanë mbetur në stanjacion, pasi SHBA ka vënë në shënjestër kartelet e drogës, Edi Rama miratoi në kuvend “Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, një skemë që krijon një shteg të madh për uljen e taksave të bizneseve që ndërtojnë kulla apo resorte me vila.
Sot për paqen fiskale reagoi dhe FMN që u shpreh kundër saj me argumentin se rrezikon të dëmtojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore.
FMN ka përsëritur thirrjet e saj për kujdes sa i përket rritjes së kredisë për pasuri të paluajtshme, e cila kërkon monitorim të kujdesshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre në rrezikun sistemik.
Projekti i Edi Ramës për kriminalizimin e ekonomisë ka vrarë sipërmarrjen në këtë vend, ndërsa për shkak të narkoeuros, me qindra ndërmarrje eksportuese janë përballur me humbje të konsiderueshme.
Kjo qeveri, nuk ka asnjë projekt për të mbështetur ato sipërmarrje që pësuan goditje nga rënia e euros”, deklaron Xhaferri.
‘FMN, shuplakë paqes fiskale’, Xhaferri: Krijohet shteg për…
