Adriana Kalaja zbulon prapaskenat e dosjes ‘Balluku’: Presione, kërcënime dhe Rama ‘mes dy zjarreve’

Zhvillimet e fundit rreth një prej dosjeve më të bujshme të SPAK, siç është ajo ndaj Belinda Balluku, duket se fshehin një prapaskenë të tensionuar, të mbushur me presione, konflikte të brendshme dhe një anormalitet procedural që ka vënë në vështirësi edhe vetë qeverinë. Sipas avokates Adriana Kalaja, procesi që çoi në masat e sigurisë për zyrtarë të lartë nuk ka qenë aspak i lehtë, duke hasur në pengesa që në hapat e parë. Në ‘Task Forcë’, kalaja u shpreh se kërkesa për masën e arrestit për ish-ministren Belinda Balluku ishte formuluar që në muajin shtator. Megjithatë, finalizimi i saj u vonua, ndërsa në sfond flitet për presione të shumanshme ndaj prokurorëve për të mos e çuar çështjen deri në këtë pikë. Përveç presioneve të jashtme, vetë SPAK, dyshohet se ka përjetuar konflikte të brendshme, me hezitime dhe debate mes drejtuesve për lëshimin e urdhër-arresteve. Situata është bërë edhe më alarmante pas konfirmimit të lajmit se një prej drejtorëve, Arben Prençi, ka qenë objekt kërcënimesh.Adriana Kalaja: Problematika që po diskutojmë ne duke qenë dakord me dy miqtë, është se këtu nëse do ishte diçka normale, ne duhet të reagonim se do na dukej e pabesueshme një reagim normal. Këtu çdo gjë është anormale, sepse unë mendoj që kjo ka filluar që ditën që megjithëse zonja Balluku tentoi ta shtynte pjesën e komunikimit sepse, nga informacionet që kam, ka patur presione nga të gjitha anët që edhe vetë prokurorët të mos arrinin deri në këtë pikë. Pra, sepse është kërkuar sipas informacioneve jo zyrtare, është kërkuar masa e arrestit që në shtator.Ndërkohë që edhe brenda përbrenda SPAK-ut ka patur një konflikt. Njëri thoshte, nxirre ti urdhrin, tjetri thonte, jo po e bëj unë jo po s’e bëj unë… Kjo është një nga arsyet pse gjykata e posaçme, dhe Marashi e tha shumë mirë, ne duhet të shohim dosjen që të kuptojmë edhe analizën ose arsyetimin që ka bërë gjykata, sepse kjo është një ekstrakt i shkurtër të gjësë që është ngritur në kërkesën e SPAK-ut, por analiza e thellësishme bëhet nga gjykata, nëse ka pranuar totalisht kërkesën e SPAK-ut. Atëherë, ajo që më shqetëson mua në këtë rast është që, që në momentin që një zyrtareje të lartë si zonja Balluku i komunikohet akuza dhe merr statusin ligjor të pandehur, unë mendoj që këtu qoftë juridikisht, qoftë politikisht, qoftë moralisht, duhet ta hidhte hapin e radhës vetë Edi Rama. Edi Rama duke qenë në mes të dy zjarreve, e para, edhe situata e kontrollit 100% të sistemit të drejtësisë po i ikën nga duart sepse skandalet e shumta e bëjnë që edhe ai vetë të mos e kontrollojë. Nga ana tjetër, unë mendoj që kjo do ishte arsyeja më e mirë që vetë Edi Rama ta shkarkonte.