Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer sot, 20 nëntor, trupat e ushtarëve të vrarë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, Ukraina ka konfirmuar se ka marrë 1 mijë trupa, ndërsa agjencia shtetërore ruse TASS citon një burim të paidentifikuar, që thotë se në Moskë janë dorëzuar 30 trupa.
“Hetuesit së bashku me agjencitë ekspertë të Ministrisë së Brendshme, së shpejti do të kryejnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme për identifikimin e trupave të rikuperuar”, thuhet në një reagim të Qendrës për Koordinimin e të Burgosurve të Luftës e Ukrainës në Telegram.
Këto shkëmbime janë pjesë e një serie marrëveshjesh midis dy palëve, duke përfshirë edhe shkëmbime të të burgosurve të gjallë, gjatë luftës që nisi me pushtimin e plotë rus më 24 shkurt 2022.
Megjithatë, bisedimet për paqen mbeten të bllokuara dhe negociatorët nuk janë takuar që nga 23 korriku i këtij viti, kur folën vetëm për 40 minuta në Stamboll.
Shtetet evropiane kundërshtuan sot një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-të për Ukrainën, i cili, sipas burimeve, do të kërkonte që Kievi të dorëzonte më shumë territor dhe të çarmatosej pjesërisht, kushte që aleatët e Ukrainës i konsiderojnë të barabarta me kapitullim.
Ukraina më parë ka akuzuar Rusinë se nuk ka dorëzuar siç duhet trupat e pajetë të ushtarëve, por Moska e ka mohuar këtë.
Rusia i dorëzon Ukrainës trupat e pajetë të 1 mijë ushtarëve
