Miratohet buxheti i vitit 2026, 83 vota pro e 32 kundër për dokumentin më të rëndësishëm financiar

Pas 16 orësh debate, parlamenti miratoi buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm.
Buxheti u miratua me 83 vota pro dhe 32 kundër. Socialisti Erion Braçe nuk votoi dy prej projektligjeve të paketës fiskale, ndërsa socialisti Vullnet Sinaj nuk votoi gjithashtu dy, që u kaluan në orët e para të mëngjesit.
Buxheti prej 8.8 miliardë eurosh fokusohet te rritja e pensioneve, rritja e pagës minimale në 500 euro si edhe indeksimi i pagave bazuar në normën e inflacionit. Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të buxhetit në Parlament, premtoi se jo vetëm viti 2026, por i gjithë mandati i katërt do të ketë prioritet pensionistët.

 “Ky buxhet është një buxhet historik për Partinë Socialiste, sepse për herë të parë adreson në mënyrë domethënëse dhe të qëndrueshme përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1.7 miliard eurosh rritjen e mbështetjes së pensionistëve”, tha Rama.
Demokratët votuan kundër buxhetit, pasi sipas tyre paratë e taksapaguesve shqiptarë do të përdoren për interesat personale të kryeministrit Rama.
 “Na i kurseni këto sajesat e buxhetit më të madh që do të bëjë shqiptarët më të lumtur. Buxheti që kemi përpara nuk është për shqiptarët. Është për ruajtjen e pushtetit të korruptuar të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, tha demokrati Gazment Bardhi.
Debate të mëdha pati edhe për projektligjin e faljes së detyrimeve të akumuluara ndër vite nga bizneset ndaj administratës tatimore dhe doganore, pasi sipas deputetëve demokratë ai përbën një padrejtësi ndaj tatimpaguesve të rregullt.
Nga ana tjetër, për kreun e Financave, Petrit Malaj, ky projektligj pritet të sjellë një bashkëpunim më të madh mes sipërmarrjeve dhe administratës tatimore./vizionplus.tv