Shkrimtarët thonë se kritika letrare, që shkruhet sot për letërsinë nuk e ndjek dot zhvillimin e saj

Nga Julia Vrapi
Rëndësia e kritikës letrare është e madhe, si për letërsinë ashtu edhe për lexuesin. Përballë fluksit të botimeve në vend, e promovimeve të ndryshme në aktivitete herë pas here, shkrimtarë dhe studiues e vlerësojnë dhe rëndësinë e kritikës letrare, por sipas tyre tek ne nuk ka akoma personalitetin e saj të dukshëm në gjykimin e vlerave të librave. Kritika u jep lexuesve këndvështrime të reja dhe i udhëheq në zgjedhjen e librave me vlerë, por gjithashtu nxit dhe dialog rreth çështjes estetike, etj, por shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati thotë se sot kritika letrare tek ne është e paaftë për të ndjekur procesin me krijimtarinë. “Kritika letrare tek ne akoma nuk ka personalitetin e saj të dukshëm në gjykimin e vlerave të librave. Aktualisht kemi një fluks të madh botimesh, por ajo është siç duket deri tani e paaftë për ta ndjekur këtë proces shumë formësh të gjinive dhe të zhanreve. Pastaj po të kthehemi tek letërsia për fëmijë, kritika letrare është pothuajse e dobët dhe sikur nuk ka shfaqje, nuk ka portret, nuk ka ndikim”, thotë shkrimtari Xhahid Bushati, një nga emrat e vlerësuar në krijimtarinë tonë, i cili dhe më parë ka sjellë në vëmendje edhe se duhet më shumë investime dhe vëmendje për librin nga institucionet përgjegjëse.
Roli i institucioneve arsimore
Për shkrimtarin Xhahid Bushati ne nuk kemi kritikë letrare në pritshmëritë që duhet të ketë letërsia, që botohet në vendin tonë. Por ndërsa thotë se ajo kritikë, që shkruhet sot për letërsinë nuk e ndjek dot zhvillimin  e saj, ai ndalet dhe tek roli që kanë institucionet e larta arsimore në vend, që sipas tij nuk janë aktive. “Institucionet e larta arsimore këtu përgjithësisht sikur nuk shfaqen, nuk janë aktive. Përgjithësisht kemi mbetur tek shkrimet recensionale. Pra është një gjini pothuajse e thatë dhe pastaj po shtohet një sëmundje tjetër, që është ajo e miqësisë. Po shkruajmë për miqtë tanë dhe po i japim vlera më shumë se sa duhet. Po ta shprehim në mënyrë popullore, duke hedhur sheqer”, shprehet shkrimtari dhe studiuesi Bushati.
Në reagimin e tij Xhahid Bushati që dhe më parë ka sjellë në vëmendje probleme në krijimtari thotë se në promovime  më shumë bëhen lavdërime dhe flasin dhe ata, që nuk e kanë lexuar librin. “Vura re në këtë panair të fundit të librit, ku mora pjesë në disa promovime librash. Ata që u çuan për të diskutuar për librin çuditërisht nuk e kishin lexuar librin dhe  rritnin vlerat e krijuesit apo të krijueses pa e lexuar librin”, thotë Bushati. Ndërsa rendit një sërë problemesh,  Bushati thotë se kritikën profesionale duhet ta bëjnë ata me tituj shkencorë dhe shkrimtarët nëse kanë talent në këtë aspekt, ku sipas tij është e rëndësishme dhe e nevojshme edhe specializimet për kritikë letrare. “Mund ti çojnë diku jashtë shtetit ose të hapin kurse trajnimi”, thotë ai. Edhe shkrimtari Pandeli Koçi sjell në vëmendje rëndësinë që ka kritika letrare për vlerat e një libri, por gjithashtu rendit disa nga problemet që janë. “Pse nuk zhvillohet kritika letrare serioze tek ne? E para nuk paguhet sa duhet, e dyta disa nuk dinë ta shkruajnë dhe e treta po bëre kritikë negative të thotë këto mos i shkruaj. Fakultetet tona që janë të gjuhë letërsisë ose Universiteti i Arteve nuk përgatisin kritikë. Ku janë kritikët e muzikës, arteve figurative, etj. Tek ne bëhen ose recensione lavdëruese dhe bën secili për shokun. Shoku bën shkrim për shokun dhe pastaj shoku bën për të, dhe bëhen ato që quhen promovime  me lavdërime”, thotë shkrimtari Pandeli Koçi. Reagimi i shkrimtarëve Xhahid Bushati dhe Pandeli Koçi është në vijim dhe të autorëve të tjerë më parë, që kanë shprehur se kritika letrare duhet të zërë vend më shumë në studimin me veprat që botohen, pasi sipas tyre rëndësia e saj është e madhe, si për letërsinë ashtu dhe për lexuesin.