Mbi 150 mijë të vdekur dhe rreth 15 milionë të zhvendosur.
Që nga prilli 2023, Sudani po përfshihet nga një luftë e ashpër mes ushtrisë së drejtuar nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe forcave paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të udhëhequra nga gjenerali Mohammad Hamdan Daglo. Sipas OKB-së, kjo është kriza më e rëndë humanitare në botë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Lufta është për pushtet dhe kontroll burimesh, por edhe pasojë e dhjetëra viteve përçarjesh sociale, rajonale dhe etnike. Që nga pavarësia në vitin 1956, vendi ka përjetuar rreth 35 raste ose tentativa të grushtit të shtetit.
Lufta disavjeçare me Sudanin e Jugut, me popullsi kryesisht jo-arabe dhe të krishterë, u mbyll në vitin 2011 me ndarjen e shtetit. Së fundmi, rënia e qytetit el-Fasher në duart e RSF-së solli dhunë me motive etnike ndaj fiseve lokale, duke rikthyer kujtimet e konfliktit të Darfurit (2003-2020).
Në një intervistë të fundit për gazetën L’Orient-Le Jour, gazetari Hammour Ziada ka dhënë detaje mbi konfliktin e përgjakshëm që po përfshin vendin e tij. Ai shpjegon se lufta ka rrënjë historike dhe shoqërore që datojnë qysh nga pavarësia e Sudanit dhe thekson se ndërhyrjet e huaja nuk ndryshojnë faktin se është një konflikt mes vetë sudanezëve.
Po kush është Hammour Ziada?
I lindur më 1979 në Omdurman, ai është gazetar, aktivist dhe shkrimtar sudanez. Në vitin 2014 fitoi Çmimin Naguib Mahfouz për letërsinë arabe. Ai shpjegon se dhuna në Sudan ka rrënjë të thella historike, të lidhura me mungesën e një marrëveshjeje të përbashkët mes komuniteteve të ndryshme të vendit.
Sipas Ziada-s, Sudani është jashtëzakonisht i larmishëm, por nuk ka arritur të ndërtojë një sistem që t’i bashkojë njerëzit. Që nga pavarësia, vendi kalon vazhdimisht nga regjimet ushtarake te revoltat popullore, të cilat përpiqen të sjellin demokraci dhe dështojnë.
Këto konflikte politike janë shoqëruar nga përçarje etnike dhe sociale, të cilat shpesh janë përdorur nga pushteti për të sunduar.
Konflikti me Sudanin e Jugut, si edhe lufta e Darfurit, u përkeqësuan nga aleanca ushtri-islamistë, që u pasua me përplasje të ashpra identitare dhe fetare.
A është kjo një luftë civile?
Ziada thotë po: lufta aktuale është vazhdim i konflikteve të brendshme që nga viti 1955.
Ndërhyrjet e vendeve të huaja e përkeqësojnë situatën, por nuk e ndryshojnë faktin që është një luftë mes sudanezëve. Ai thekson se tensione të rënda ekzistojnë edhe në lindje të vendit dhe se mund të shpërthejnë në çdo moment.
Ka dimension ideologjik?
Edhe pse RSF përpiqet të duket sikur është në mbrojtje të demokracisë, Ziada shprehet se të dyja palët janë të ndikuara nga rrymat islamiste dhe e përdorin retorikën vetëm për të fituar mbështetje.
Ai e quan këtë një luftë për pushtet, jo për ideologji.
Nga diktatura te një shoqëri e ndarë
Ziada kujton se regjimet ushtarake e kanë formësuar Sudanin.
Fillimisht me grushtin e shtetit të vitit 1958, e më pas me ardhjen në pushtet të Jaafar Noumeyri në 1969 dhe të Omar al-Bashir në 1989. Noumeyri ndërroi ideologji nga komunizmi në islamizëm vetëm për të ruajtur pushtetin, duke forcuar bindjen se vendin duhet ta udhëheqë një lider i vetëm ushtarak.
Pas dekadave të diktaturës, shoqëria sudaneze ka mbetur e dobët, e përçarë dhe pa traditë demokratike.
Pse shkrimtari u detyrua të largohej?
Ziada u largua në vitin 2009, pasi kritikoi publikisht një deklaratë fetare të disa profesorëve islamistë, e cila rezultoi të ishte plagjiaturë. Ndërkohë, ai denoncoi edhe abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, duke shkaktuar reagime të ashpra konservatore.
Shtëpia e tij u dogj dhe ai u arratis në Egjipt.
U kthye vetëm pas rrëzimit të al-Bashir në 2019, por u detyrua sërish të largohej kur shpërtheu lufta në 2023.
Pse bota hesht për Sudanin?
Ai thotë se Sudani shihet si vend periferik dhe i panjohur.
Bota i kushton vëmendje vetëm kur ka rrezik për ndarje të reja shtetërore në Lindjen e Mesme, ndërsa jeta e civilëve sudanezë duket se nuk ka peshë në sytë e ndërkombëtarëve.
Sipas tij, reagimet e shteteve varen nga interesa gjeopolitike, jo nga humanizmi.
A mund të vijë paqja?
Ziada është pesimist për një ndalesë të shpejtë të luftës. Edhe një marrëveshje paqeje, sipas tij, nuk do të zgjasë, sepse shoqëria është e armatosur, e përçarë dhe e traumatizuar. Zgjidhja e vetme afatgjatë do të ishte një kontratë e re shoqërore, e bazuar mbi:
qytetarinë
barazinë
demokracinë
respektin ndërmjet komuniteteve
Pa këtë, thotë ai, asnjë armëpushim nuk do të sjellë paqe të vërtetë.
Intervista e realizuar nga Soulayma Mardam Bey për L’Orient-Le Jour
