Gjykata e Posaçme ka dhënë masat e sigurisë jo vetëm për zv/kryeministres Belinda Balluku për pezullim nga detyra dhe pengim për të dalë jashtë shtetit nëpërmjet bllokimit të pasaportës, por edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë, vartës të saj. Për dy zyrtarët është dhënë masa e arrestit shtëpiak, teksa pritet të zbardhen edhe emrat e tyre në momentin e ekzekutimit të masës.
Gazetarja Klodiana Lala informon se SPAK ka ushtruar kontrolle të reja ndaj zyrtarëve të afërt me Ballukun, ku besohet se janë gjetur edhe prova të reja implikuese, që mendohet se kanë sjellë edhe masën e sigurisë që është vendosur.
“Ka pasur bllokim të celularëve. Janë kryer kontrolle nga SPAK, janë sekuestruar një sërë celularësh të personave që kanë bashkëpunuar me Ballukun dhe mund të jenë siguruar prova të reja nga këto kontrolle që e lidhin me zv/kryeministren Balluku. Në këtë kuadër ka ardhur edhe masa e sigurisë për pezullim dhe sekuestrim pasaporte”, tha Lala.
Po nëse Balluku nuk e zbaton masën e vendosur, çfarë ndodh sipas procedurave penale?
“Nëse nuk e zbaton masën, prokurorët mund të kalojnë edhe në masa më të forta sigurie ndaj saj. Por duke qenë se drejton një nga ministritë më të rëndësishme e më të fuqishme, që menaxhon një pjesë të madhe të buxhetit, ka rrezik për ndikim nga ana e saj, që të mos ushtrojë ndikim edhe ndaj zyrtarëve apo në prishjen e provave”, shpjegoi gazetarja.
Mësohet se prokurorët kanë përdorur edhe metoda speciale hetimi dhe proaktive për të gjetur prova dhe lidhje direkte apo indirekte që implikojnë zv/kryeministren në abuzime dhe vartësit e saj.
SPAK sekuestron celularët e bashkëpunëtorëve të Belinda Ballukut/ Gazetarja zbulon detajet që çuan në pezullimin nga..
