‘Partia Mundësia, projekt afatgjatë’, Shehaj: Do ia ‘nxijmë jetën’ të korruptuarve në Parlament

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar se deputetët që do të dalin nga radhët e kësaj force politike pas zgjedhjeve të 11 majit, do të zhvillojnë një betejë të ashpër kundër korrupsionit dhe abuzimeve me paratë publike.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Shehaj tha se qëllimi kryesor i Partisë Mundësia është përballja direkte me qeveritarët e korruptuar, të cilëve, sipas tij, do t’ua “nxijnë jetën” në Kuvend.
Ai theksoi se projekti i kësaj partie është afatgjatë dhe nuk kufizohet vetëm tek zgjedhjet e 11 majit, ku forca e tij politike garon me numrin 10 në fletën e votimit.
“Dhe këtyre që po vjedhin popullin më të varfër në Evropë do t’ua nxijmë jetën në Parlament si kurrë më përpara.Projekti politik i Partisë Mundësia është një projekt politik afatgjatë.Unë jam i vetmi politikan që me denoncimet e mia i kam kursyer miliona euro shtetit shqiptar, si në rastin e Unazës së Madhe… janë me dhjetëra betejat që kam bërë, pa kursyer askënd.Kështu do të vazhdojmë, dhe ky është zotimi ynë për qytetarët.”
Shehaj përmendi gjithashtu mbështetjen që ka marrë nga qytetarët për denoncimet në Parlament, dhe u shpreh i bindur se me një grup deputetësh në Kuvend, Partia Mundësia do të luajë një rol kyç në luftën kundër korrupsionit.