Pseudopatrioti sulm britanikëve, emigrantët shqiptarë trajtohen si “delja e zezë” nga strukturat angleze, retorika…

Retorika e kryeministrit Edi Rama ndaj qeverisë britanike ka shpërthyer sërish, ndërsa mijëra shqiptarë në ishull vazhdojnë të trajtohen si “delja e zezë” e sistemit të azilit nga strukturat angleze. Pasi ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood kërkoi dëbimin e 700 familjeve shqiptare, kryeministri Rama reagoi dje me tone të ashpra, duke e akuzuar për përvetësimin e narrativës së ekstremit të djathtë. Ai pretendoi se emigrantët shqiptarë janë kontribuues të ekonomisë britanike dhe se përmendja e 700 familjeve është “retorikë e dobët”, duke e minimizuar problemin si “një pikë statistikore në oqean”. Megjithatë, qëndrimi i tij, ku Rama shfaqet si pseudopatriot shihet si një reagim me efekt të kundërt, pasi përplasja verbale rrezikon të nxisë valë të re ekstradimesh masive nga Britania. Rama sulmoi ashpër edhe kufizimet e vizave, duke i quajtur “relike të epokës Braverman”, ndërsa mbrojti marrëveshjen e bashkëpunimit për migracionin e parregullt. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se veçimi i shqiptarëve “nuk është politikë, por demagogji e rrezikshme”, duke akuzuar Londrën se i ekspozon emigrantët ndaj rrezikut nga grupet ekstremiste. Deklaratat e tij erdhën në një moment kur Mahmood prezantoi planin e ri për ristrukturimin e sistemit të azilit, i cili parashikon dëbimin e familjeve shqiptare, përfshirë fëmijët. Por në këtë përplasje të ashpër diplomatike, shqiptarët mbeten mes dy zjarreve: retorikës britanike që i kategorizon si problem dhe deklaratave të Ramës që shpesh ndezin më shumë sesa qetësojnë situatën. Më poshtë po pasqyrojmë detaje për këtë çështje.
Qëndrimi i Ramës
Konkretisht kryeministri Edi Rama ka reaguar dje në rrjetet sociale pas deklaratave të laburistes Shabana Mahmood, lidhur me dëbimin nga Britania e Madhe të 700 familjeve shqiptare, të cilët pas refuzimit të azilit, po vijojnë të jetojnë në Britani nga financimi i taksapaguesëve vendas. Rama thotë se kjo thirrje vjen në një moment që Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje tashmë të konsoliduar për sa i përket migracionit duke përmendur këtu reduktimin e numrit të mbërritjeve të parregullta të shqiptarëve në Angli. Ndër të tjera, kryeministri thotë se shqiptarët që ndodhen në Britaninë e Madhe janë kontribuues të ekonomisë vendase dhe se të bëhet fjalë për 700 familje shqiptare, është një retorikë e dobët, sikurse thotë janë ‘një pikë statistikore në oqean’. “Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar @ShabanaMahmood të përmendë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rinisjen e kthimeve familjare. Si mundet një Ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post Brexit pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm. Dua t’i kujtoj Ministres së Brendshme se falë punës së përbashkët intensive që nga fundi i vitit 2022 mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse janë zhdukur. Kontrolli i migracionit ka funksionuar. Ndërkohë kufizimet e lëvizjes dhe të vizave nga pala britanike mbeten një relike dështimi e epokës Braverman që dëmton si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve ashtu edhe ekonominë britanike. Të jemi të qartë, shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe numri i shqiptarëve që marrin përfitime në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. T’i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie. Shqipëria është dhe do të mbetet një nga aleatët më aktivë të Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin më të gjerë të migracionit në Ballkan. Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë nga mbrojtja te kontrolli kufitar, dhe jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara përfshirë nga grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla. Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe”, shkroi dje ai.
Plani anglez
Reagimi i Ramës u nxit nga deklaratat e ministres së Brendshme Mahmood, e cila prezantoi përpara qeverisë një plan të gjerë për ristrukturimit të sistemit të azilit. Shabana Mahmood bëri me dije se një konsultim i gjerë do të nisë për vendosjen në zbatim të praktikave të dëbimit jashtë Britanisë të familjeve shqiptare, përfshirë dhe fëmijët. “Për shembull, ka rreth 700 familje shqiptare, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, megjithatë, largimi i tyre nuk po zbatohet aktualisht nga Ministria e Brendshme, pavarësisht se Shqipëria ka një standard të artë bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar për kthimet dhe është nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Për shembull, ka rreth 700 familje shqiptare, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, megjithatë, largimi i tyre nuk po zbatohet aktualisht nga Ministria e Brendshme, pavarësisht se Shqipëria ka një standard të artë bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar për kthimet dhe është nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne do të nisim një konsultim mbi procesin e zbatimit të largimit të familjeve, përfshirë fëmijët”, deklaroi tre ditë më parë në Parlament Shabana Mahmood, teksa tregoi ndryshimet drastike të ligjit të emigracionit. Masat kanë shkaktuar shqetësim edhe brenda vetë Partisë Laburiste, që pranojnë se deportimi i fëmijëve dhe familjeve konsiderohet “i dhimbshëm dhe politikisht delikat”. Pavarësisht se Shqipëria vlerësohet nga Mbretëria e Bashkuar si një partner i besueshëm në rikthimin e shtetasve, vendi ynë është rikthyer në qendër të debatit britanik për migracionin.