Ish-Kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit dje në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK), ku qëndroi për rreth dy orë për të dëshmuar lidhur me ngjarjet tragjike të 21 Janarit 2011.
Kjo zhvillim, pas gati 15 vitesh nga ngjarja ku u vranë katër protestues, u komentua nga analisti Preç Zogaj, i cili e cilësoi këtë si “lajmin e ditës” dhe një hap pozitiv për drejtësinë.
Zogaj: S’ka më tabu
Preç Zogaj theksoi rëndësinë e këtij veprimi, duke argumentuar se ai tregon se SPAK-u nuk njeh më kufij apo pozita politike.
“Ky është një zhvillim pozitiv dhe do të thotë që tani nuk ka më tabu. Imagjino sa kohë ka humbur Shqipëria për të pyetur personin numër 1, i cili ka dijeni për ngjarjen sepse ka qenë aty,” tha Zogaj.
Sipas tij, pavarësisht kohës së humbur, thirrja e ish-Kryeministrit për të dhënë llogari është vendimtare, pasi ai gjithmonë rrezikon të akuzohet.
Urdhri i Strasburgut
Zogaj shpjegoi se hetimi i ri nuk është një vendim politik, por një detyrim ligjor që rrjedh nga instancat ndërkombëtare. Çështja është rihapur pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
Gjykata e Lartë, mbi bazën e vendimit, ka urdhëruar SPAK-un që të marrë çështjen dhe të bëjë një hetim shterues.
Analisti theksoi se dosja e 21 Janarit është një nga më të rëndat e historisë së tranzicionit dhe SPAK-u tani është i detyruar të hetojë nëse vrasjet e katër protestuesve ishin me dashje apo nga pakujdesia.
“Tani nuk ka më tabu”/ Berisha 2 orë në SPAK, analisti: Strasburgu, detyron hetim për vrasje shtetërore
