Avokati i familjarëve të viktimave të “21 Janarit”, Idajet Beqiri: SPAK ka prova materiale të forta dhe dëshmitarë…

Rigels Seliman
Hetimi mbi vrasjet e “21 Janarit” duket se po hyn në një fazë të re, ndërsa SPAK thuhet se disponon prova të reja materiale dhe dëshmitarë që mund të hedhin më shumë dritë mbi atë që ndodhi atë ditë në Bulevard. Avokati i familjarëve të viktimave, Idajet Beqiri, shpjegon për gazetën “SOT” se një pjesë e këtyre provave janë tashmë në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK-ut), ndërsa disa të tjera ruhen me kujdes për t’u dorëzuar në momentin e duhur. Ai thekson se materialet përfshijnë edhe prova të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Beqiri tregon gjithashtu se disa elementë, si plumbat e gjetur tek trupat e viktimave, sipas tij, janë trajtuar në mënyrë të dyshimtë, duke ngritur pyetje mbi tentativat për të deformuar hetimin. “Provat kanë ardhur dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. edhe për serverat e të tjera, çfarë gjurmë kanë lënë edhe çfarë deshifrohet prej tyre. Video-regjistrimi që u paraqit në SPAK nga pala akuzuese nëpërmjet gazetarit Artan Hoxha, flet jashtëzakonisht shumë. Kjo provë është ekspertuar sa e vërtetë është, para se ta merrte SPAK-u.
Kështu që atje ka dhe mjaft prova të tjera të rëndësishme. Madje, ndonjë provë nga ne po mbahet edhe për t’u dhënë në momentin e duhur, ashtu sikurse u shtrëngua fort ajo video-regjistrimi që u çua edhe iu dorëzua vetëm SPAK-ut, se s’kishim besim tek askush tjetër. Ka dhe disa prova të tjera të cilat do të jenë bombë. Po, jo vetëm prova materiale, por edhe dëshmitarë të tjerë. Madje juve dëgjuat para pak ditësh një ndër prokurorët e çështjes që e përjashtoi Ina Rama, dhe i tha: “Ti merru me ato protestuesit, merru me marrjen e përgjegjësive penale të protestuesve që protestuan atje dhunshëm, mos u merr ti me këta që vranë”. Dhe nuk e lanë atë të vazhdonte më tej. Por ai ka dëshmuar që prokurori tjetër që u caktua nga Ina Rama ka shkuar bashkë me ekspertët atje, edhe disa plumba që janë gjetur në trupin e viktimave, i ka çuar tek familja e Sali Berishës që t’i zhduknin e të thoshin: “ja urdhëro, hidhi poshtë” dhe që të mos provohet gjoja ngjarja.
Dhe ky person është dëshmitar, është prokuror. Edhe ai që e ka bërë këtë veprim atje bashkë me ekspertët ka qenë prokuror. Ka emër e mbiemër ai që ka bërë një veprim të tillë makabër. Nëse s’ka dëshmuar, do ta dëshmojë, por problemi është që këto janë prova që janë me të vërtetë jashtëzakonisht të rënda. Është krim shumë i rëndë. Nuk është problemi se vrave katër veta dhe i vrave për një hakmarrje. Po t’i vrasësh ti në emër të shtetit, të fuqisë së shtetit, e kur të kanë dhënë në dorë fatet e këtyre njerëzve, dhe ti e përdor këtë duke i vrarë! Edhe pastaj dalin disa analistë e marrin edhe në mbrojtje. Është gjak. Edhe ky gjak duhet shpaguar, edhe shpagimi duhet bërë nga drejtësia. Ata presin drejtësi, nuk presin ata që të marrin hak kundër këtij gjakatari. Berisha ka 10,000 gjëra për të shlyer në këtë vend”, tha ndër të tjera avokati.
Urdhri është dhënë nga Berisha
Beqiri nënvizon se përgjegjësia e këtij krimi, sipas tij, bie mbi ish-kryeministrin, i cili, në emër të pushtetit, urdhëroi përdorimin e dhunës kundër qytetarëve. “Në fakt, jemi jashtëzakonisht të vonuar për 21 Janarin. Është një krim shtetëror, një krim i padëgjuar, nuk mundet ta përshkruash dot me fjalë, logjika njerëzore nuk e mban dot. Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë në botë që kryeministri i vendit, ai që i kemi dhënë votëbesimin, ai që mbahet me taksat e shqiptarëve për të qeverisur vendin, ai vret qytetarët e vetë. Pse? Sepse në emër të fjalës së lirë, në emër të demokracisë, në emër të zbatimit të ligjeve, dalin të protestojnë në rrugë kundër aferës korruptive të zëvendëskryeministrit tënd, të cilin e zunë me presh në dorë, me figurë, me zë, në prani edhe të një dëshmitari okular që ishte ministri i tij i ekonomisë së kohës, me korrupsionin që bënte hapur. Nga ana tjetër, dolën për votën e lirë, sepse Saliu i vriste gjithmonë zgjedhjet, i vidhte, i grabiste ato edhe në pushtet. Sa herë ka ardhur, ka ardhur me vota të vjedhura. Asnjëherë s’ka fituar me votim të lirë, dhe qytetarët shprehin vullnetin e tyre. Për këto dy gjëra, ai urdhëron thotë të vriten. Dhe jo vetëm urdhëron të vriten, por e pranon me kërshëri. E thotë madje me zë e me figurë, e dëgjojnë gjithë shqiptarët, që thotë katër snajperë ishin vendosur, tregon dhe pozicionet ku ishin vendosur në Kryeministri, dhe ata kishin marrë urdhër sipas Saliut që të vrisnin edhe 400 në rast se do futeshin tek porta”, u shpreh avokat i njohur, Idajet Beqiri. Sqarim:  Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohetfajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.