Koncerti Operistik i Miqësisë një mbrëmje plot emocione, artistët sollën një program të pasur operistik

Mbrëmja muzikore, që bashkoi artistë kroatë dhe shqiptarë në një program muzikor të pasur dhe të larmishëm ishte një prej aktiviteteve të veçanta në Javën Kulturore Kroate. Koncerti Operistik i Miqësisë u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku në mbrëmjen e 17 nëntorit, arti kroat dhe ai shqiptar u bashkuan në një skenë të vetme, duke sjellë një program të pasur muzikor që festoi bukurinë, elegancën dhe kreativitetin e kompozitorëve kroatë. Java Kulturore Kroate (17-20 nëntor) vjen për herë të parë në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
“Interpretimet emocionuese të solistëve dhe performanca e shkëlqyer e Korit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe plot harmoni. Publiku i ndoqi interpretimet me admirim dhe entuziazëm, duke i duartrokitur gjatë këto momente magjepsëse që e kthyen mbrëmjen në një përvojë vërtet të paharrueshme artistike. Një mbrëmje plot emocione, ku artistë të shquar kroatë dhe shqiptarë sollën një program të pasur operistik, duke vënë në pah bukurinë e muzikës klasike dhe fuqinë e artit si urë bashkimi mes dy vendeve”, thuhet rreth këtij koncerti.
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e 17 nëntorit u ngjitën artistët kroatë Arijana Gigliani Philipp, Petra Pia Kartelo, Jakov Kalajžić, Jurica Jurasić Kapur dhe pianisti Božo Letunić, të cilët u bashkuan me zërat e Korit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku interpretuan edhe artistët shqiptarë Simona Karafili, Denis Skura, Erlind Zeraliu, Amelda Papa, Sokol Hidersha me pianiste Ingrid Pulizon, duke krijuar një harmoni vokale dhe emocionale. Nën drejtimin e maestro Dritan Lumshi, mbrëmja u shndërrua në një takim të vërtetë kulturash, ku talenti dhe arti u bashkuan në një përvojë të bukur muzikore. Java Kulturore Kroate me një sërë aktivitetesh që pasqyrojnë pasurinë shpirtërore dhe krijuese të Kroacisë, ku Koncerti Operistik i Miqësisë hapi këtë javë festive.