Opozita e Sali Berishës hesht para të pandehurës Belinda Balluku, pazaret e pista PD-PS mbyllin gojën para…

Skandali i Belinda Ballukut si e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera duhej të ishte prova më e madhe për opozitën shqiptare. Një zv.kryeministre që përballet me akuza të rënda dhe që megjithatë vazhdon qetësisht detyrën është situata ideale për të ndërtuar një ofensivë politike të fortë. Por ajo që ndodhi në daljen e saj të parë publike ditën e djeshme në Kuvend tregoi se opozita nuk u shfaq si forcë e organizuar dhe nuk ngriti presion të qëndrueshëm. Reagimet ishin të shpërndara, të paqarta dhe të pasistemuara, thjesht përgjigje të dobëta që nuk krijojnë asnjë lloj trysnie mbi qeverinë.
Në vend që të artikulohej një kërkesë e qartë për dorëheqje, një plan proteste, një fushatë me argumente dhe prova, u pa një lojë fjalësh  dhe akuzash. Kjo e lë qeverinë në pozicionin më të favorshëm të mundshëm, përballë një opozite që flet, por nuk vepron. Që Sali Berisha dhe opozita blihet shumë kollaj e tregon vetë përmbajtja e dosjes së Llogarasë, ku është implikuar vetë Balluku. Komunikimet përmes mesazheve telefonike ndërmjet Evis Berberit dhe Belinda Balluku, kanë zbuluar lidhjet e zëvendëskryeministres, dhe me deputetë të Partisë Demokratike, të cilëve ajo mesa duket kërkon t’u mbyllë gojën duke u afruar favore. Në këtë rast bëhet fjalë për Arbi Agalliun, I cili në tetor të vitit 2021 kishte akuzuar në sallën e parlamentit zonjën Balluku për lidhje direkte me turqit që fituan tenderin e Tunelit. “Shoh në LinkedIn të CEO-s të kompanisë foto me kryeministrin dhe Ministren, 4 muaj përpara se të shpallet fituesi i tenderit. Besoj dhe shpresoj të jeni takuar për çështje pune në funksion të shqiptareve. Pyetja është a keni takuar ndonjë drejtues tjetër të kompanive që kanë aplikuar për tender dhe të keni bërë foto? Megjithëse në të drejtën e tij nuk duket etike që një sipërmarrës i suksesshëm të mbaj foto profili, LinkedIn për më tepër, presidentin e vendit të vet.
A mos vallë është kjo kthim qoke, së bashku me dronat, për spitalin “dhuratë”? pyeti deputeti i PD. Balluku ka zgjedhur që të mos acarojë marrëdhëniet me deputetin e opozitës. Përkundrazi, 3 muaj më pas, ajo e konsideron “djalë qytetar” dhe i shkruan Berberit që ta takojë Agalliun  për një problem që kishte me tokat në Vlorë, duke i kërkuar që në komunikimin me të, ai të jetë “shumë i dashur”. Në datën 27.01.2022, në orën 18:50, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “Do të të marr për një takim Arbër Agalliu, dep i PD që ka nja dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrimi shumë i dashur, shumë i mirë se është djalë qytetar”.
Në orën 18:51, Evis Berberi: “Patjetër E kemi patriot”. Në orën 18:52, Belinda Balluku: “Por ne nuk kemi ca i bëjmë, të marr lejen e ndërtimit nga bashkia, atëherë shprehemi”. Në orën 18:52, Evis Berberi: “Ok Ne japim mendim pasi ka marre leje”. Agalliu, rezulton të ketë patur komunikim direkt me Ballukun, dhe pak ditë më pas i shkruan Berberit. Ky i fundit sipas porosisë së eprores tregohet menjëherë i gatshëm ta takojë, dhe në përfundim të bisedës, njofton Ballukun, se porosia ishte kryer. “Në datën 31.01.2022, në orën 19:19, shtetasi Arbi Agalliu i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “Evis si je? Arbi Agalliu jam! Shpresoj te jesh mire. Belinda ma dha nr tënd. Kur te kesh mundësi do doja të flisnim pak. Flm.”. Në orën 19:20, Evis Berberi: “Mirëmbrëma, nesër në mgjs”. Në orën 19:20, shtetasi Evis Berberi telefonon shtetasin Arbi Agalliu. Në datën 01.02.2022, në orën 08:35, shtetasi Arbi Agalliu i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “Mirëmëngjes! Unë për pak jam aty. Jam në trafik poshtë digës.”. Në orën 08:35, Evis Berberi: “Pa prob””, thuhet ndër të tjera në dosje