Avokati Genc Gjokutaj, që përfaqëson kryetarin e PD-së, ka treguar detaje për thirrjen e Sali Berishës në SPAK në lidhje me çështjen e 21 Janarit. Gjokutaj është shprehur se, sa herë që qeveria ndodhet në vështirësi kërkon që të nxjerrë një çështje tjetër që të zhurmojë opinionin publik.‘Për të shmangur vëmendjen e opinionit dhe të gjitha periudhat e krizave që ka pasur ai dhe ngjarjeve të rëndësishme, në kuptimin negativ të fjalës të këtij pushteti. Mos harroni që kjo çështje hetohet nga SPAK-u, i cili përpara se të merrte kompetencë nga Sokol Sadushi, pra nga Gjykata e Lartë, ka shpallur moskompetencën. Me kallëzim të ish-ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, nga momenti i moskompetencës deri në momentin e marrjes së kompetencës nga Gjykata e Lartë sipas urdhërit të Edi Ramës, nuk ka ndodhur asnjë gjë e re pasi çështja e 21 janarit ka 15 vjet tashmë që ka ndodhur. Dhe memoria e këtyre ngjarjeve është përdorur aq herë sa i është dashur pushtetit’, tha Gjokutaj.
Avokati deklaroi se prova e re që pretendohet është regjistrimi audio i dorëzuar nga gazetari Artan Hoxha, që sipas Gjokutajt nuk e implikon aspak kryedemokratin, Sali Berisha.
‘Gjë e re këta quajnë një audio që gazetari Artan Hoxha e ka vënë në dispozicion. Po. Ajo është një, e para është një audio që nuk implikon fare zotin Berisha, së pari. Së dyti, ajo, sepse këtu kemi të bëjmë jo vetëm një organ që nuk është kompetent ta hetojë sepse, sepse e ka shpallur krye të herës kompetencën, po, sepse nuk ka asnjë provë apo indicie që të përfshihet Berisha në atë ngjarje, dhe së dyti, prova mbi të cilën mbështeten këta që quhet, nuk është provë në kuptim të ligjit, si nga fuqia provuese e saj ashtu dhe në formën që kërkon ligji për t’u marrë. Pra, ajo është një audio e cila nuk dihet kush është, nga kush është bërë, me çfarë mjeti është bërë, e kupton? Dhe pse është mbajtur për, për, për 13 vjet, 14 vjet e fshehur dhe mbas 13-14 vjetëve na del një provë e re e cila, e cila gjoja, paskërka hapur horizont SPAK-ut edhe organit të hetimit’, theksoi avokati.‘Në fakt kjo, kjo ishte një shpikje, një produkt, duket tipik i këtij pushteti, me prova të sajuara vetëm e vetëm që të mbajnë këtë, të mbajnë këtë orkestër në këmbë. Tani unë do t’ju them, sot Berisha me vajtjen e tij tregoi dhe denoncoi edhe njëherë atë tragjikomedi të luajtur nga ky pushtet i cili përjeton dy-tre skandale në ditë dhe jo një në javë si më përpara’, deklaroi ndër të tjera avokati Genc Gjokutaj
E vërteta për 21 Janarin/ Gjokutaj: Asgjë e re, audio e dorëzuar nuk implikon fare Doktor Sali Berishën
