Fatmir Xhafaj/ Fjalim me alibi, jo zgjidhje

Sot në Kuvend, deputeti Fatmir Xhafaj hodhi kritika mbi mosrealizimin e fondeve buxhetore nga institucionet shtetërore.
Fjalimi i tij ngriti pikëpyetje mbi qasjen dhe përgjegjësinë politike që ai vetë dhe mazhoranca mbajnë për këtë situatë.
Xhafaj tha se, problemi nuk qëndron te shifra e buxhetit, por te rezultati, duke shprehur keqardhje që “një pjesë e mirë e fondeve buxhetore nuk realizohen”.
Ai përmendi si arsye të mundshme ndikimin e drejtësisë penale dhe frikës së administratës nga përgjegjësitë ligjore, por pa dhënë shembuj konkretë, duke e lënë të hapur nëse kjo është shkak apo thjesht perceptim.
Në këtë rast, Xhafaj ofron analizë, por jo përgjegjësi politike. Ai u kufizua në kritika të përgjithshme ndaj institucioneve dhe drejtuesve të tyre, ndërkohë që prej vitesh mazhoranca e tij ka pasur kontroll të plotë mbi administratën publike, prokurimet dhe politikat e menaxhimit të fondeve.
Në vend që të adresojë dështimet strukturore apo përgjegjësitë qeveritare, Xhafaj përqendrohet në idenë se disa institucione punojnë mirë e disa jo, pa shpjeguar pse kjo ndodh në një shtet ku standardet dhe kontrolli duhej të ishin të unifikuara.
Po ashtu, ai i mëshon idesë se “drejtuesit, motivimi dhe përzgjedhja e stafit” janë kyç për realizimin e buxhetit, duke ngritur pyetjen se kush i ka emëruar këta drejtues dhe kush ka krijuar sistemin që sot ai vetë kritikon.
Në fund, deklarata e tij lë pa përgjigje pyetjen kryesore:
Si ka mundësi që, pas më shumë se një dekade në pushtet, mazhoranca vijon të justifikojë mosfunksionimet e administratës me frikën nga drejtësia apo me paaftësinë e vartësve?
Derisa këtyre pyetjeve t’u jepet zgjidhje dhe jo vetëm retorikë, deklaratat në Kuvend rrezikojnë të mbeten thjesht ushtrime politike, jo mekanizma që çojnë në përmirësim real të qeverisjes.
“Në qendër të çdo buxheti nuk është shifra, por rezultati. Prandaj, nuk mjafton të rrisim fondet; duhet t’i shpenzojmë drejt, me eficencë. Keqardhje kur sheh që një pjesë e mirë e fondeve buxhetore nuk realizohen. Kjo do të thotë më pak zhvillim, më pak kujdes social me pak vende pune.
Pse ndodh kjo? Disa thonë që lidhet me drejtësinë e re dhe kryesisht me institucionet e drejtesise penale. Mund të jetë kështu, por askush nuk thotë çfarë konkretisht.
Mund të ketë dhe unë besoj se ka diçka, ndaj në seancat e mëparshme kam ngritur shqetësimin dhe kam kërkuar që të tregohet kujdes me penalizimin e administratës dhe biznesit në këtë vend, për një kulturë e qasje tjetër nga strukturat e drejtësisë penale në këtë aspekt. Kjo kërkon të ulen palët në tavolinë per dialog dhe të shohin se cilat janë reflektimet që duhen bërë.
Po përtej asaj çfarë ka racionale në këtë histori, personalisht besoj se në jo pak raste kjo është një alibi mbas së cilës fshihet një problematikë tjetër me vetë institucionet e agjencitë që merren me administrimin e fondeve buxhetore. Nisur dhe nga raportimet e bëra në komision rezulton se një pjesë e kanë realizuar mbi 90% buxhetin e përcaktuar për investime, por edhe për mallra e shërbime. Atëherë si shpjegohet që disa e realizojnë e disa jo buxhetin e akorduar në vitin përkatës buxhetor?
Si shpjegohet që disa i realizojnë prokurimet në fondin limit 99% dhe disa arrijnë të kursejnë deri në 20% të fondit të prokuruar? Besoj se ka disa faktorë që ndikojnë në këtë realitet.
Ndër të tjera kjo lidhet me drejtimin e institucioneve, me aftësitë menaxhuese të drejtuesve dhe sidomos me aftësinë për të zgjedhur njerëzit e përshtatshëm në këto procese, me motivimin dhe mbështetjen e tyre për të punuar të qetë dhe në liri të zbatojnë drejt ligjin dhe përgjegjësitë përkatëse”, tha Xhafaj.