Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se, buxheti 2026 është angazhim i drejtpërdrejt i qeverisë për të çuar përpara reformat e nisura drejt Shqipërisë 2030.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale,
Pirdeni u shpreh se, “jo më larg se 2 ditë më parë Shqipëria hapi me sukses të 33 kapituj dhe 3 kriteret e negociatave me BE-në, për një periudhë kohe 14 mujore që e bën këtë proces me një shpejtësi të paprecedentë”.
Ministrja theksoi se “indeksimi i pagave të administratës publike që nga janari 2026 si dhe rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja duke e çuar atë në 50 mijë lekë të reja do të përkthehet në një rritje prej 25% për një kategori të konsiderueshme të punonjësve të administratës publike me paga aktualisht më të ulta”.
Pirdeni shtoi se, “10 600 punonjës shërbimi, sanitarë, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj, me një vlerë në rritje gati 25%”.
“Për specialistë të administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja. Mësuesit do të përfitojnë pagë 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj. Dhe për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë”, tha Pirdeni. Kjo do të thotë se si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131 700 lekë, paga do të shkojë në 143 500 lekë në muaj. Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë në muaj. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj”, tha Pirdeni.
Po ashtu, Pirdeni theksoi se, “edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj”.
“E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave, pagat rriten si më poshtë: Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja. Për komisarët nga 105 mijë në 110.600. Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë”, u shpreh Pirdeni.
Pirdeni: Rritje me 25% e pagave për mbi 10 mijë punonjës nga arkivistët te teknikët
