Kuvend, prezantohet pr.buxheti 2026 me vlerë 8.8 mld €/ Malaj: Rrit pensionet e pagat, përgatit vendin drejt BE-së

Projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit ai për Buxhetin e Shtetit po diskutohet në Kuvend. Janë 886 miliardë lekë ose 8.8 miliardë euro do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s. 
“Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet Buxhetore, parashikohen në vlerën 886.8 miliardë lekësh, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. Pra kemi një rritje me rreth 550 milionë euro më shumë në 2026 në krahasim me vitin 2025”, tha ministri i Financave Petrit Malaj në Kuvend. 
Për vitin e ardhshëm është parashikuar formula e re e rritjes së pensioneve që parashikon bonuse të përmuajshme. Sipas të dhënave në projektligj fondi për bonuset në vitin që vjen do të jetë 100 milionë euro si dhe janë parashikuar 16.5 milionë euro për indeksimin e tyre. 
“Në fund të këtij viti, pensionistët tanë të nderuar, sikundër e kemi premtuar, do të marrin Bonusin e Fundvitit. Në fillim të vitit që vjen, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve, për të arritur deri në fund të mandatit. Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është sot. Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht”, tha ministri. 
Investimet publike për vitin 2026 janë parashikuar të arrijnë në vlerën rreth 1.8 miliardë euro, brenda së cilave janë 50 milionë eurot e  parashikuara për rindërtimin që ende vijon dhe 68 milionë euro financime të pritshme nga plani i rritjes së BE-së. Ndërsa për këtë vit investimet publike janë në vlerën e 1.6 miliardë euro. 
“Ky projektbuxhet është kontrata jonë me qytetarët e Shqipërisë. I përgjigjet premtimeve tona në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, dhe përgatit vendin për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Nuk është thjesht dhe vetëm një plan të ardhurash dhe shpenzimesh, por është arkitektura mbi të cilën mbështeten objektivat strategjikë të kësaj qeverie, për periudhën 2025–2029”, tha Malaj. 
Ndërkohë sa i takon të ardhurave ato planifikohet të rriten kryesisht nga zhvillimi ekonomik, vijimi i turizmit dhe miradministrimi. 
“Për vitin që po mbyllet, rritja ekonomike parashikohet në 3.9% në terma vjetorë, duke reflektuar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Edhe për periudhën afatmesme, 2026-2028, ne jemi optimistë pasi parashikojmë një rritje mesatarisht në 4%”, tha ministri. 
Në vitin që vjen thuhet në projektbuxhet borxhi publik do të kapë shifrën e 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro i parashikuar për këtë vit. Po ashtu për herë të parë vitin që vjen është planifikuar të indeksohen pagat e administratës publike në masën 2.5%, si dhe është parashikuar financim për rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë nga janari i 2026-ës dhe do të rritet në 60 mijë lekë brenda 2028-ës.