“Taksë 9 për qind biznesit”, Basha: Do t’i japë më shumë frymëmarrje sipërmarrjes së lirë

Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka qenë sot në një fasoneri në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku u njoh me shqetësimet e sipërmarrëses dhe punëtorëve.
Pasi u njoh me problematikat, Basha tha se taksa 9% që është pjesë e programit, do t’i sjell më shumë frymëmarrje biznesit dhe do t’u jap mundësi sipërmarrësve që të ofrojnë paga dinjitoze.
“Ne do të ecim me planin tonë për taksën 9%. Ulja e taksave i jep më shumë frymëmarrje biznesit. Sapo flisja me Evën, në qoftë se ne ulim taksën në 9%, nga 15% që është, kjo do të thotë që 6% që mbetet, unë mund ta përdor edhe për të rritur pagat e punonjësve. Pra, është një formulë nga e cila fitojnë të gjithë palët. Shteti duke ulur taksën në 9%, ndalon informalitetin. Ju mund ta keni dëgjuar, shumica e bizneseve sot në Shqipëri punojnë me dy balance, një për tatimet dhe një të vërtetë. Pse? Sepse taksat janë shumë të larta, janë pothuajse dyfishi i taksave në Mal të Zi, apo në Maqedoni”, tha Basha.

Ai më tej tha se korrupsioni i qeverisë 12 vjeçare i ka çuar lekët e shqiptarëve në xhepat e pushtetarëve.
/vizionplus.tv