Një anije spiune ruse ka hyrë në ujërat territoriale britanike. Jo vetëm kaq: ajo madje dyshohet se ka drejtuar rreze të fuqishme lazer kundër pilotëve të Forcave Ajrore Britanike (RAF) që ishin nisur drejt zonës. Është përshkallëzimi i radhës i sjelljes provokuese të Rusisë së Vladimir Putinit. Këtë e ka konfirmuar sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healy, në një fjalim të mbajtur këtë mëngjes. Ai iu përgjigj ashpër Moskës: “Ju ndjekim. Ju vëzhgojmë. Jemi gati”.
“Është hera e dytë që anija spiune ruse Yantar endet rreth ujërave territoriale britanike gjatë muajve të fundit”, shpjegon Healey, “përdoret për të mbledhur inteligjencë dhe për të monitoruar kabllot nënujore”. Sipas të dhënave, anija ruse ka hyrë dhe ka dalë disa herë nga ujërat e Mbretërisë së Bashkuar, pranë veriut të Skocisë. Yantar dyshohet të ketë bërë të njëjtën gjë prej javësh edhe ndaj vendeve të tjera, si Holanda. “Kemi angazhuar një fregatë të Marinës Mbretërore dhe avionë të RAF-it. Jemi gati të përgjigjemi, nëse anija lëviz edhe më në jug”, paralajmëroi Healey, “kemi disa opsione ushtarake”.
“Ne jemi në një fazë të re kërcënimesh”, vazhdoi Healey. Sipas të dhënave, ajo që e ka shqetësuar më shumë mbrojtjen britanike është fakti që rusët kësaj here nuk janë kufizuar vetëm në teknika survejimi dhe spiunazhi, por kanë kryer edhe veprime aktive të ndërhyrjes kundër pilotëve britanikë, duke përdorur rreze lazer. “Veprime jashtëzakonisht të rrezikshme”, sipas sekretarit të Mbrojtjes.
“Bota jonë po ndryshon”, shtoi Healey. “Është më pak e parashikueshme. Është më e rrezikshme. Dhe vetëm këtë vit kemi parë luftën mes Izraelit dhe Iranit ta çojë Lindjen e Mesme në prag të kolapsit. Kemi parë shpërthimin e konfliktit të armatosur mes Indisë dhe Pakistanit, spiunë kinezë që synojnë demokracinë në vendin tonë, Putinin duke intensifikuar më tej luftën e tij në Ukrainë, dhe vetëm këtë vit kemi parë qiellin e Evropës të goditet nga ndërprerje të rënda të shkaktuara nga dronët. Kemi parë dyfishim të shkeljeve ruse në hapësirën tonë ajrore, dhe kemi parë 90 mijë sulme kibernetike kundër sistemit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar”.
“Kjo është një epokë e re kërcënimesh”, vazhdoi Healey, “dhe kërkon një epokë të re të mbrojtjes, një epokë të forcës ushtarake, të aleatëve të qëndrueshëm dhe një diplomacie të sigurt. Dhe ndërsa kërcënimi rritet, Britania do të bëjë pjesën e saj. Jam krenar të jem pjesë e një qeverie që e di se detyra jonë e parë është të mbrojmë kombin dhe të mbajmë qytetarët tanë të sigurt, një qeveri që ka marrë një angazhim historik për të rritur investimet në mbrojtje, sepse siguria jonë kombëtare nuk është e lirë”.
Marrë nga La Repubblica
Shkeljet e Rusisë nuk kanë të ndaluar! Anija spiune në ujërat britanike, drejton rrezet lazer nga…
