Italia, alarm për sulme hibride – Roma kërkon reagim të shpejtë të Perëndimit ndaj kërcënimeve dhe sabotimeve ruse

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, paralajmëron se Europa po përballet çdo ditë me sulme hibride nga Rusia dhe thotë se rreziku po rritet me shpejtësi. Në një dokument prej 125 faqesh, ai ka krititkuar ashpër “inercinë” e vendeve të BE-së dhe NATO-s përballë, siç thotë, agresionit gjithnjë e më të hapur rus.
Crosetto tha se është “absurde” që Perëndimi reagon kaq pak, ndërsa nëse do të kishte një sulm tokësor, askush nuk do të mbyllej thjesht në shtëpi duke pritur që rreziku të kalonte. Ai shpjegon se Perëndimi ndodhet në një konflikt asimetrik dhe ka mjetet për t’u mbrojtur, por proceset e gjata demokratike e lënë gjithmonë një hap pas Rusisë.
Sipas tij, Kremlini po përdor mjete ushtarake dhe jo-ushtarake për të destabilizuar Evropën dhe për të ndikuar në vullnetin politik të vendeve që mbështesin Ukrainën. Në dokument listohen raste konkrete, si sulmet kibernetike ndaj kompanive të mbrojtjes, zjarrvëniet në depot me pajisje për Ukrainën dhe përdorimi i emigrantëve për të destabilizuar kufijtë e Polonisë. Përmenden edhe dronët e panjohur në aeroportet evropiane dhe akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Rumani.
Ministri paralajmëron se Rusia po përpiqet të fitojë “përmes tretjes”, duke lodhur gradualisht Perëndimin me akte të vazhdueshme presioni. Ai thotë se Kremlini po përdor edhe dezinformimin për të ndikuar në opinionin publik të vendeve evropiane.
Për të frenuar këtë kërcënim, Crosetto propozon krijimin e një qendre evropiane kundër luftës hibride, një forcë kibernetike me 1,500 trupa dhe ekipe të specializuara në inteligjencën artificiale, mbrojtjen e zinxhirit të furnizimit dhe luftën kundër manipulimit mediatik.