Tabaku: Publikoni listën e përfituesve nga falja e borxheve; Malaj: Kërkesa duhet të dërgohet nga Kuvendi

Deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi transparencë nga qeveria për publikimin e listës me përfituesit e faljes së borxheve.
Duke iu drejtuar Ministrit të Financave Petrit Malaj, Tabaku theksoi se kjo është falja më e madhe e borxheve në 34 vite, ndërsa theksoi se Parlamenti nuk mund të votojë një ligj i cili nuk bën transparencë.
“Patëm një debat në komisionin e ekonomisë në lidhje me listën e përfituesve të shlyerjes së borxheve që janë 1.7 mld euro, 202 mijë tatim pagues, 60%e të cilëve i kanë mbyllur bizneset e janë jashtë tregut. 40% do përfitojnë nga ligji i shlyerjes së borxheve. Kjo është falja më e madhe e borxheve që ndodh këto 34 vite.
A ka përfitues të akuzuar për evazion fiskal, korrupsion, që kanë marrë tendera nga qeveria, që janë koncensionar të qeverisë shqiptare?
Në këtë parlament, s’mund të votojnë edhe kolegët pa ditur kush janë përfituesit. Ju duhet të ofroni transparencë. Ne s’biem dakord për politikat që ka qeveria.
Por lista e përfituesve të shlyerjes, të faljes së borxhit duhet të jetë transparente. S’mundet ky parlament symbyllasi t’i falë detyrimet tatim paguesve ndërkohë që qindra-mijëra biznese janë mbyllur, kanë dalë nga tregu si rezultat i taksave të larta”, deklaroi Tabaku.
Nga ana e tij, Ministri Petrit Malaj u shpreh se lista e përfituesve nga fshirja e borxhit tatimor dhe doganorë është 202 mijë tatimpagues. Ai theksoi se kërkesa do duhet të dërgohet nga Kuvendi në mënyrë që lista të vihet në dispozicion.
“Lista e përfituesve nga fshirja e borxhit tatimor dhe doganorë është 202 mijë tatimpagues. Nëse ju kërkoni një listë nominative sipas një niveli borxhi, duhet të vijë kërkesë nga Kuvendi në Ministrinë e Financave ku mund t’u vë në dispozicion këtë listë nominativë të detyrimeve që do iu fshihen. Do e trajtojmë këtë si çështje”, sqaroi Malaj.