Në Korrik të këtij viti, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investimit strategjik për një hotel me 11 kate që do të ndërtohet në Ksamil. Sipas Komitetit, ky do të jetë një investim prej 45 milionë eurosh, që do të ketë 155 dhoma në total, nga të cilat 92 dhoma deluxe dhe 8 suita.
“Vlera e investimit të projektit të investimit “ENEA/Hotel Ksamil” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 45,000,000 (dyzet e pesë milionë) Euro,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.
Vendimi i Komitetit te IS
Por kush është investitori strategjik, që do të ndërtojë këtë hotel?
Kompania ndërtuese e hotelit, e cila përfitoi statusin e investitorit strategjik quhet AICA Imobiliare. Ajo zotërohet nga Armand Hoxha, një avokat nga Durrësi me 98 për qind dhe Aldo Giovanni Gerli, edhe ky një avokat nga Italia me 2 për qind të aksioneve.
Investimi
AICA është një kompani e themeluar në dhjetor të vitit 2021, Ajo ka rreth 1.9 milionë euro asete, pjesa dërrmuese e të cilave vijnë nga një tokë në Ksamil dhe një ndërtesë në Ksamil. Bëhet fjalë për ndërtesën e ish Kinoteatrit të Ksamilit.
Përmes statusit zoti Hoxha ka marrë edhe 2500 mijë metër katrorë tokë shtetërore falas në zonën më të lakmuar të bregdetit shqiptar. “Në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, miratohet, në parim, masa mbështetëse konsolidim toke, si dhe vënie në dispozicion e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar, për zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti investimi strategjik me destinacion zhvillimin e projektit të integruar turistik,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.
Në një faqe të dedikuar interneti, zoti Hoxha e quan veten si një sipërmarrës, investitor dhe njeri vizionar. Në përshkrimin e vetes ai thotë se është i bazuar në Dubai ku ka ndërtuar biznese të fuqishme në mbarë botën.
“Me seli në Dubai dhe që operon në nivel global, Armand ka themeluar dhe drejtuar një portofol të larmishëm kompanish, duke përfshirë AICA, 4H Real Estate, Advisor & Management dhe Pay to Go. Me çdo sipërmarrje, ai ka ndërtuar më shumë sesa thjesht biznese, ai ka ndërtuar ekosisteme që lidhin njerëzit, idetë dhe mundësitë përtej kufijve,” thuhet në përshkrimin e faqes personale të internetit.
