Sali Berisha konfirmon se do të dëshmojë sot në SPAK dhe nga frika pohon se vrasjet e “21 janarit” ishin krim…

Rigels Seliman
Një ditë para se të shkojë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe të japë llogari për 4 vrasjet në bulevard në 2011, kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha e pranon se 21 janari është krim shtetëror. Në konferencën nga selia blu, ish-kryeministri Berisha i zënë ngushtë nga SPAK, pasi fletëthirrjen kësaj radhe e mori në dorë, deklaroi ditën e djeshme se do të paraqitet sot në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni. Ai do të përballet me prokurorët e posaçëm mbi rolin dhe përgjegjësinë e tij për plumbat e vërtetë që derdhën mbi protestuesit nga garda e republikës në kohën kur Edi Rama asokohe drejtues i opozitës protestonte para zyrës së tij kryeministrore. Berisha vijon me linjën qesharake të mbrojtjes, ai e pranon se 21 janari është krim shtetëror, por sipas tij, ishte një krim shtetëror pa dashje. Ish-kryeministri mbrojti Gardën, që qëlloi me plumbat e shteti në drejtim të protestuesve, duke thënë se kanë vepruar sipas ligjit.
Pasi bëri lojëra me fletëthirrjen dhe refuzoi 2 herë të shkonte në SPAK, kreu i PD sulmoi kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzon se përdori fletëthirrjen 2 javë për propagandë në shërbim të qeverisë. Ndërkohë i braktisur edhe nga militantët në protestën para Kryeministrisë, Sali Berisha thotë se ajo ishte një foltore ku mund të vinin ata që dëshirojnë. I pyetur nga gazetarët nëse është ai që nuk po frymëzon më, Berisha u shpreh se kjo nuk ishte një protestë kombëtare, ndonëse në fakt edhe protestat kombëtare para kryeministrisë i kanë dështuar pothuajse me të njëjtin nivel pjesëmarrjeje si një ditë më parë.
Kreu i PD thotë se foltorja do të jetë zëri i qytetarëve që do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe zëvendëses së tij, si edhe zëri i deputetëve, duke akuzuar mazhorancën se nuk i lejon të flasin në Kuvend. Edhe njëherë tha se foltorja do “shpëtojë Shqipërinë”. Ndërkaq kujtojmë se ish-kryeministri do të paraqitet në SPAK sot në orën 09:00. Kjo është fletëthirrja e tretë që i dërgohet Berishës, i cili dy të parat kishte refuzuar ti merrte. Ndonëse fletëthirrja e dytë i ishte dërguar në 3 adresa, tek banesa, selia e PD dhe në Kuvend, Berisha kishte udhëzuar rojet e banesës që mos ta pranonin, ashtu si edhe grupin parlamentar. Fletëthirrja e tretë iu dorëzua Berishës në dorë, teksa shkoi në SPAK për t’u paraqitur për aferën Partizani. Berisha kërkoi një datë tjetër me argumentin se do të ishte jashtë shtetit. Ndërkohë, SPAK e afroi datën dhe caktoi të mërkurën e 19 nëntorit si datën për tu paraqitur. Më herët është thirrur për të dhënë dëshminë e tij edhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Më poshtë po pasqyrojmë pjesë nga deklarata e kreut të PD, Sali Berisha për këtë çështje.
PJESË NGA DEKLARTA E BERISHËS
21 Janari/ Berisha: Do shkoj nesër dhe do i bëj gjyqin publik Edi Ramës! Ky është një hetim politik
“Tani, a do të shkoj unë, mos ta shndërrojë kurrë njeri pyetjen. Unë çdo njoftim që thirrem nga gjykata dhe prokuroria e vendit, unë kam shkuar dhe do shkoj. Por shikoni se çfarë keqpërdorimi ekstrem nga Altin Troplini i institucionit që ai drejton. Me datën 3, unë isha në përputhje me ligjin në zyrat e Skapit. Gazetarët ishin tek dera. Unë hyra dhe dola dhe ata nuk thanë asnjë fjalë, gjëja më normale, po të kishin një njoftim, ata mund të ma jepnin mua direkt, mund t’ia jepnin avokatit tim. Por nuk bëzajtën. Çfarë t’i thuash atij, epitetet nuk mjaftojnë. Dhe unë kur vij këtu, shoh që ua kishte dhënë gazetarëve që i keqpërdor dokumentin. Berisha ka marrë këtë thirrje. Berisha nuk kishte marrë asnjë thirrje. E bënte këtë për të krijuar një lajm në mënyrë që të mbulojë lajmin e 97 milionë eurove të Ramës dhe Belinda Ballukut.
Dhe tani çfarë ndodh? E kemi dërguar në PD. Këtu në PD, pas një jave, paska ardhur një zarf, Partisë Demokratike. Zarfi që i vjen PD-së, nuk vjen për Sali Berishën. Dhe ai e ka kthyer, kujt i adresohet. I duhej lajmi, nuk i duhej problemi. I duhej të krijonte lajm sepse dirigjohet nga zyra e Ramës në një propagandë të ulët, të shpifur. Tani kaloi një javë, tani thotë javën e dytë e përsërita. Por, u dërgua këtu, u dërgua tek Niko Peleshi, andej e këndej, asnjë njoftim. Dhe vetëm dje, kur shkoj unë aty, ata zotërinjtë thonë se ka edhe këtë njoftim. Sigurisht që do e merrja. Shikoni sa të ulët janë. Sa i ulët është ai. Përdori një akt ligjor, të ligjshëm, për të bërë dy javë propagandë në shërbim të qeverisë. Ua dha gazetarëve para se të ma jepte mua. Dhe unë duhet ta mësoja nga mediat.
Pse duhet ta mësoja nga mediat unë kur kisha qenë aty? Të gjitha njoftimet, dhe janë jo të  pakta, vijnë direkt në derën time, trokasin, si rregull ka njerëz aty, del, merr njoftimin, firmosin. Por nuk i interesonte kjo, i interesonte tymi dhe zhurma që të ndihmonte Lubinë, të cilën nuk donte kurrsesi të akuzonin. Tani, a do shkoj? Pa diskutim. Do shkoj nesër. Nesër do jem aty. Ndonëse e deklaroj që sot që ky është një hetim politik, sepse ajo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë, ndërkombëtarë e me radhë. Është hetuar ajo. Është bërë i plotë hetimi në të katër anët. Por nuk jam thirrur, nuk më kanë pyetur njëherë. A e di pse nuk më kanë pyetur? Se isha njeri i sulmuar, isha njeri i rrethuar. Ndaj dhe nuk u leverdiste të më thërrisnin. Tani thërrasin, sigurisht që unë do të shkoj. Unë kam qenë 5-6 orë sa ka vazhduar në rrethim në përpjekje për të pushtuar kryeministrinë. Evidente. Ajo ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit.
Me qindra e mijëra gurë janë hedhur drejt gardistëve në një kohë kur ligji përcakton qartë se cili është reagimi i rojes kur qëllon me gurë drejt tij. E ka të shkruar ligji i votuar nga socialistët. Janë hedhur eksplozivë drejt tyre. U përdor makina për të thyer derën. Pra, të gjitha këto, problemi pa diskutim që do shkoj. Janë deklaratat më serioze ndërkombëtare që thonë se PS kishte agjendë dhune. Tani, kuptohet vetë pse përdoret dhuna. Kthehu pak tek deklaratat e Edi Ramës, Sali ose prano zgjidhjen politike ose do kalohet mbi kufoma. Çakalli tjetër thotë edhe 13 mijë po të jetë nevoja. Ishte një skenar dhune i paralajmëruar dhe e vërteta, ta them, në zgjidhjen e atij problemi, pati një angazhim shumë serioz të qeverisë së SHBA. Erdhi këtu dy herë Thomas Countryman, por erdhi edhe ndihmësi Steinbeck për këtë problem. Kush e pengoi? Përkundrazi, vazhdoi hetimi, u bënë dënimet, por Edi Rama nuk u thirr njëherë.
A pritet të thirret Edi Rama? Edi Rama është përgjegjësi numër një, është organizatori kryesor. Shiheni kur bën me shenjë nga dritaret e mia. Dritaret kanë marrë gurë, kanë marrë plumba. Edhe po të mos ishin këto, unë do të shkoj dhe do t’i bëj gjyqin publik Edi Ramës. Jo vetëm Edi Ramës, nuk është vetëm. Prandaj dhe Sali Berisha nuk u thirr. Pse nuk u thirr? 13 vite, askush. U bënë dënime, u bënë të gjitha. Ndaj dhe Edi Rama do dalë siç është, organizator i një proteste që synonte pushtetin me dhunë. Dhuna nuk përdoret për ndonjë qëllim tjetër. Nuk kemi të bëjmë me dënime ligjore të përdoret dhuna. Jo, dhuna përdoret për të marrë pushtetin. Ndaj dhe u rrethua kryeministria në atë mënyrë”, deklaroi dje Berisha.
Sali Berisha: SPAK ka refuzuar fillimisht të hetojë ‘21 Janarin’ sepse aty del se autori kryesor i skenarit është Edi Rama
“Sepse SPAK është një vegël e kësaj qeverie. E vërteta është se SPAK e ka refuzuar këtë çështje. Pasi ka shqyrtuar dosjen, e ka refuzuar të themi atë që është, sepse e ka parë se autori kryesor i gjithë atij skenari është Edi Rama.  Cilido që e sheh atë dosje, del Edi Rama lakuriq. Del Erion Veliaj duke hedhur bojë të kuqe, është identifikuar edhe personi, sikur është gjak, për të nxitur më shumë. Ndaj dhe Skapi nuk pranoi ta shqyrtojë. Ajo që thonë se Gjykata e Strasburgut, tha vrasje shtetërore, e kam thënë unë përpara. Pse e kam thënë. Sepse ka vrasje me dashje, ka vrasje pa dashje. Roja ka ligjin. Roja i Gardës dhe cilido roje, vepron mbi bazën e ligjit dhe lexoni ligjin çfarë thotë. Po të gjuajti, breshëri në ajër, po vazhdoi të gjuajë, tek këmbët dhe pastaj neutralizim.
Ky është ligji i bërë nga socialistët dhe nëqoftëse fillimisht u tha se, janë plumba nga afër që linte për të nënkuptuar që ishin demonstrues që kanë qëlluar njëri-tjetrin, më vonë u tha jo, ajo ekspertizë nuk ishte e drejtë, por janë nga distanca. Atëherë e kam thënë dhe e them, ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorura në përputhje me rregullat dhe ligjin, pra janë vrasje shtetërore të paqëllimshme. Edhe këto quhen vrasje shtetërore. Por të njëjtën gjë e kam thënë unë edhe për Gërdecin. Pse e kam thënë? Sepse mbikëqyrjen e kishte shteti. Çfarë ndryshimi ka? Ka një ndryshim ky cilësim, ndryshimi është në dëmshpërblimin e viktimës. Kur vlerësohet se rrethanat dhe të gjitha mund të dëmshpërblehet si viktimë”, u shpreh ai dje.
Berisha: Dje nuk kishim thirrur protestë, por ‘Foltoren e parë parlamentar-qytetare’. Do të angazhohemi në një proces analize të brendshme
“Më duket se, po keqinterpreton të vërtetën. Së pari unë dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve që dje themeluan me praninë e tyre ‘Foltoren e parë parlamentar-qytetare’ në historinë e vendit, para pallatit të krimit. Dje PD nuk kishte thirrur miting. Kishte thirrur një ‘Foltore’.  Pse ne nuk kemi thirrur miting dhe nuk do të thërrasim miting. Edhe njëherë, për të gjithë ata që duan të vërtetën ua themi, për ata që spekullojnë pastaj, të vazhdojnë. Ne nuk thërrasim se do të angazhohemi në një proces analize, ristrukturimi, hapje të PD-së i cili është jetik. Nëqoftëse ne vendim për një protestë, apo për protesta masive kjo bie ndesh me të parën. Pastaj të gjithë potencialet tona duhet të mobilizohen për protestat masive.
Jo. Nuk ka qenë protestë kombëtare. Ka qenë thjeshtë një ‘Foltore’ dhe do të jetë thjeshtë një foltore parlamentaro-qytetare. Vijnë ata që duan të vijnë.  Kjo është. Çdo interpretim tjetër është absolutisht jo real. Çfarë ka qëllim ajo? Ajo ka qëllim që zëri i qytytarëve kërkon dorëheqjen e Lubi Balluktu dhe Edi Ramës. Ajo ka qëllim që deputetëve që u mbyllet mikrofoni në parlament, të vijnë të flasin para qytetarëve, shqiptarëve, para kryeministrisë. Ajo ka qëllim që qytetarët, meqenëse deputetët nuk lejohen ti paraqesin çështjet e tyre në parlament, të vijnë ti paraqesin vetë, para kryeministrisë. Pra kjo foltore ka këto qëllime. Është foltore parlamentaro-qytetare. Janë të njohura këto në histori. Lexoni për revolucionin francez. Në një fushë tenisi nisi jetën ai institucion që transformoi Francën dhe Europën. Parlamenti kontinental në SHBA i dha botës demokracinë më të fuqishme të të gjitha kohërave.
Nëqoftëse foltorja e parë kishte qëllim ringritjen dhe shpëtimin e PD, kjo foltore synon shoqërinë shqiptare, shqiptarët në tërësi. Pra është tjetër. Nuk jeni i vetmi ju që e keni interpretuar në këtë formë, por për ata që janë të interesuar unë ju shpjegoj se kjo është e vërteta dhe ajo ishte themelimi i një foltoreje historike që do të vazhdojë pa ndërprerje. Natyrisht në këtë periudhë, partia nuk mundet që të mos bëjë analizën e vet, që të mos përmbushë detyrimet e saj, për ristrukturimin, hapjen e saj, kontaktimin e vlerave. Të thuash që ti bësh të gjitha njëkohësisht nuk është shumë e thjeshtë. Nuk është kollaj ti bësh, se veçanërisht një angazhim në protesta masive e vërteta është se analizën do ta zbehte shumë dhe nuk duhet të zbehet”, nënvizoi dje Berisha.