Rigels Seliman
Rikthimi para zyrës së Ramës (Kryeministrisë), për Sali Berishën u duk si një “deja vu” e shumë protestave të kaluara. Ish-kryeministri Berisha njoftoi lançimin e një platforme parlamentaro-qytetare mbarë kombëtare por para Kryeministrisë gjeti pak më shumë se grupin e tij parlamentar, ndërsa këto pamje ekskluzive (foto) të gazetës “SOT” me dron tregojnë edhe braktisjen nga militantët. “Foltorja 2” i quajti takimet me fjalime para godinës së qeverisë që i planifikon të përjavshme, me të cilat thotë se tashmë synon të rrëzojë Ramën e të shpëtojë Shqipërinë pasi “Foltorja 1” i rrëzoi Lulzim Bashën dhe i dha partinë. “Me represion dhe agresionin ndaj saj, por përsëri sot ajo mblidhet në Foltoren e 2. Foltorja që s’ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtoje Shqipërinë nga regjimi i krimit”, deklaroi Berisha.
Berisha akuza dhe sulme ndaj qeverisë
Zyrën e kundërshtarit Rama, i cili teksa ai protestonte ishte në takim zyrtar në Holandë, Berisha e quajti pallatin e krimit, ndërsa akuzat më të rënda i identifikoi jo vetëm ndaj kryeministrit, por i shoqëroi edhe ndaj Belinda Ballukut, dhe për të dy kërkoi dorëheqje. “Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit”, tha Berisha. Në fjalimin pak më shumë se 25 minutësh Berisha përsëriti akuzat refren të konferencave të përditshme në selinë e PD, farsën zgjedhore, mungesën e hapësirave për opozitën në Parlament, si dhe “kalin e betejës” së javëve të fundit “ligjin për barazinë gjinore”. “Ne jemi të betuar se atë ligj s’do ta pranojmë kurrë, se familja shqiptare do të mbetet institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari. Kjo familje këtë komb e ka sjellë deri në ditët e sotme nga lashtësia. Këtë familje Edi Rama dhe Belinda lubia duan ta shkatërrojnë”, tha Berisha.
Kreu i PD zbulon skenarët
Ndërkohë pas 1 orë e 30 minutash, protesta e opozitës para Kryeministrisë përfundoi. “Kjo foltore unike do realizojë bashkimin e shqiptarëve në idealin e votës së lirë”, u shpreh ai. Më tej Berisha u shpreh i vendosur për të vijuar “Foltore 2”. Ai paralajmëroi se tubime të tilla do të zhvillohen çdo ditë të enjte që do ketë Kuvend, në sheshin para Kryeministrisë. Berisha tha se kjo ‘foltore’ themelon atë lëvizje të fuqisë që do i japë këtij regjimi ndëshkimin që meriton dhe është një gur frymëzimi. “Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme. Kjo është foltore themelore.
Themelon kjo foltore atë lëvizje të fuqishme që do i japë këtij regjim ndëshkimin që meriton. Ndaj dhe le të përshëndesim ne përzemërsisht dhe me mirënjohje të gjithë ata që morën pjesë, të gjithë ata që e ndoqën këtë foltore, e cila u garantoj unë ju do shndërrohet në një gurrë frymëzimi. Kjo foltore unike në historinë e vendit do të realizojë bashkimin e shqiptarëve në një ideal të lartë, në idealin e votës së lirë, në idealin dhe shenjtërinë e familjes shqiptare”, theksoi Berisha. Teksa njoftoi mbylljen e tubimit, kryedemokrati paralajmëroi të tjera foltore, deri në largimin e Edi Ramës. “Foltoren tjetër po në këtë shesh. Mirupafshim”, është shprehur Berisha në fjalën përmbyllëse. Ndërkaq kujtojmë se protesta ishte e qetë, nuk asnjë moment tensioni mes protestuesve dhe policisë.
Dështon protesta e opozitës para Kryeministrisë, Sali Berisha braktiset nga militantët, kreu i PD sulmon qeverinë…
