Financat publike në alarm të kuq, dhjetori përmbyti buxhetin, 2024-a mbyllet me kaos fiskal dhe projekte fantazmë,…

Gjatë vitit 2024, menaxhimi i financave publike është karakterizuar nga luhatje të mëdha të likuiditeteve dhe një përqendrim i pazakontë i shpenzimeve në muajin dhjetor, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në ekuilibrin fiskal të vendit. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi zbatimin e buxhetit 2024, likuiditetet totale janë luhatur nga 40 deri në 137 miliardë lekë, çka tregon për administrim të pamjaftueshëm të mjeteve monetare. Për më tepër, konvertimet e panevojshme të valutave kanë prodhuar kosto të shtuara për buxhetin e shtetit, duke rënduar më tej situatën financiare. Dhjetori është shndërruar në muajin ku janë përqendruar shumica e shpenzimeve, si ato korente ashtu edhe ato kapitale. Shpenzimet korente kanë qenë gati dyfish më të larta se mesatarja mujore, ndërsa investimet kapitale janë rritur deri në pesëfish.
Vetëm në periudhën shtator–dhjetor janë detajuar për herë të parë 245 projekte investimi me vlerë totale 14.8 miliard lekë, ku një pjesë e fondeve rezulton të jetë përdorur për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Për më tepër, në dhjetor janë mbyllur 323 projekte të nisura gjatë muajve të mëparshëm, ndërsa dhjetëra projekte të tjera kanë qëndruar aktive për vetëm dy ose tre muaj, një praktikë që tregon planifikim të dobët dhe menaxhim joefikas të investimeve. Pavarësisht miratimit të Aktit Normativ nr. 5 më 19 dhjetor, i cili duhej të sillte rishikime të fundit të buxhetit, 150 projekte me financim të brendshëm rezultojnë me realizim zero. Mungesa e e masave për mbylljen e këtyre projekteve të që nuk kanë avancuar ka bërë që fondet e parashikuara për to të mbeten të pavlefshme, duke krijuar barrë të re për vitet pasardhëse.
Akumulimi i shpenzimeve në dhjetor ka përthithur të gjithë suficitin fiskal të muajve janar–nëntor dhe e ka kthyer bilancin në deficit me rreth 17 miliardë lekë. Vetëm në dhjetor të ardhurat arritën në 62.6 miliard lekë, ndërsa shpenzimet u ngjitën në 152.1 miliard lekë, që përbën 21% të gjithë shpenzimeve vjetore. Sipas KLSH-së ky devijim i fortë, sipas të dhënave, lidhet me mungesën e planifikimit të saktë, orientimin e shpeshtë të fondeve drejt nevojave të reja pa adresuar detyrimet e mbartura dhe tejkalimin e tavaneve buxhetore. Fenomeni ka rritur ndjeshëm riskun fiskal të vendit, duke ekspozuar financat publike ndaj pasigurive të krijuara nga menaxhimi jo i kujdesshëm i likuiditeteve, zgjerimi i angazhimeve kontraktuale përtej hapësirës së miratuar dhe zbatimi jo i rregullt i planifikimit afatmesëm buxhetor.
Qeverisë i dalin “duarsh” koncesionet PPP
Por nuk ndalet me kaq. Ministria e Financave dhe Autoritetet Kontraktuese, kanë shkëmbyer qëndrime kontradiktore pas konstatimeve të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili gjeti se për vitin 2024 nuk është publikuar raporti vjetor mbi performancën e kontratave të koncesionit dhe Partneriteteve Publike-Private (PPP), pavarësisht detyrimit ligjor.
Sipas Ministrisë së Financave, raportimet nga Autoritetet Kontraktuese bëhen në zbatim të ligjit nr. 125/2013 dhe udhëzimeve përkatëse, dhe kërkesat për informacion janë të vazhdueshme. Megjithatë, shumë prej raportimeve rezultojnë të paplota, me të dhëna të pasakta ose të munguar, duke vështirësuar përgatitjen e dokumentacionit final. Ministria sqaron se udhëzimi nr. 5 i vitit 2019 përfshin një listë prej nëntë rreziqesh që duhet të monitorohen për çdo kontratë koncesionare, nga vonesat në ndërtim dhe devijimet e kërkesës, deri tek risqet financiare, ndryshimet e ligjit dhe rinegocimet e kontratave. Ndërkohë, pas krijimit të Drejtorisë së Risqeve Fiskale sipas strukturës së re të miratuar në tetor 2024, Drejtoria e Koncesioneve pohon se nuk mund të kryejë detyrat që tashmë i përkasin një njësie tjetër. Ajo thotë se mund të asistojë në evidentimin e risqeve, por jo të marrë përgjegjësi jashtë kompetencës.
Për këtë arsye, ministria e pranon rekomandimin vetëm pjesërisht. Nga ana tjetër, grupi i auditimit nënvizon se raporti i performancës së PPP-ve për 2024 mungon dhe se kjo bie ndesh me nenin 10 të ligjit nr. 125/2013, i cili e detyron ministrin përgjegjës për financat të përgatisë dhe publikojë raportin si aneks të raportit vjetor të buxhetit. Mungesa e tij konsiderohet shkelje e detyrimeve ligjore dhe rrezikon transparencën e monitorimit të kontratave koncesionare. Auditimi kërkon që Ministria e Financave të vlerësojë problematikat e konstatuara dhe të forcojë rolin e saj në reduktimin e risqeve fiskale që burojnë nga PPP-të. Në rekomandimet e dhëna, kërkohet që titullari i Ministrisë së Financave të përcaktojë përgjegjësitë për mos-publikimin e raportit dhe të sigurojë finalizimin e tij në kohë, ndërsa Drejtoria e Koncesioneve duhet të marrë masa imediate për përgatitjen dhe publikimin e dokumentit.
Po ashtu, i kërkohet ministrisë që në bashkëpunim me Autoritetet Kontraktuese të përmirësojë procesin e monitorimit dhe saktësinë e të dhënave financiare dhe jofinanciare të PPP-ve. Ndërkohë KLSH pohon se drejtuesi aktual i Drejtorisë së Koncesioneve mohon përgjegjësinë për periudhën e audituar, duke theksuar se është emëruar në këtë detyrë në shkurt 2025 dhe se gjatë procesit të auditimit nuk është kontaktuar nga grupi i punës, as nuk i është kërkuar informacion zyrtar. Ai argumenton se viti 2024 nuk mbulon periudhën e ushtrimit të detyrës së tij dhe se çdo pretendim duhet të referohet kompetencave dhe përgjegjësive të institucionit gjatë atij viti. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, raporti vjetor i performancës së kontratave koncesionare për 2024 nuk është publikuar dhe rekomandimi për përmirësime mbetet i pazbatuar.
Situata ngre shqetësime për transparencën e sektorit të PPP-ve dhe rrezikun fiskal që mund të rëndojë mbi financat publike në mungesë të monitorimit të rregullt. KLSH raportoi se për vitin 2024 rezultojnë 11 kontrata koncesionare PPP me mbështetje buxhetore. 10 kontrata rezultojnë me pagesa faktike, ndërsa për kontratën koncesionare/PPP “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të integruar” në Triport Vlorë”, plani dhe fakti, rezultojnë 0 lekë. Në total, plani përfundimtar për këto projekte paraqitet në shumën 13,644,710mijë lekë, ndërkohë që pagesat rezultuan në shumën 13,293,576 mijë lekë, me një realizim në masën 97.4%. Pagesat vjetore faktike nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, 2.22% e totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2023, duke qenë brenda kufirit të pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore faktike.