Protesta e PD-së, Vangjeli: Berisha i paqartë, sulmon SPAK-un, që duhet ta kishte aleat

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në emisionin “Trialog” të gazetares Alba Alishani në RTSH1 se Partia Demokratike dhe drejtuesi i saj Sali Berisha është i paqartë në strategjinë e tij politike.
Duke iu referuar protestës së Partisë Demokratike, Vangjeli tha se ajo “nuk ishte as protestë, as politikë”.
“Z. Berisha do i jepja këshillën që vjen prej kinezit të lashtë Sun Tzu se “një gjeneral i mirë nuk e nis kurrë një luftë të cilës ia ka disfatën në xhep”.
Ajo çka pamë dje nuk ishte as protestë, as politikë. Ishte një gjë në mes, fiks si ajo gjinia që vetë z. Berisha e ndërpret. Kur gjërat janë të pacaktuara, ato nuk thërrasin, nuk frymëzojnë, nuk grishin dhe mbi të gjitha nuk shkojnë askund.
Kryesorja është se ende nuk kanë ndarë mendjen; ia vlen të qeverisësh partinë apo gjithë Shqipërinë. Kjo është thelbësore; çfarë mund t’u ofrojnë shqiptarëve. Pavarësisht se nuk e pranon ndihet mirë me këtë status-quo. Një zgjidhje do të vinte kur politikani veteran Berisha do të mundte intaçiu, egoistin Sali”, u shpreh Vangjeli.
Ai vuri në dukje se Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e zëvendëskryeministres por ndërkohë proteston para Kryeministrisë.

Vangjeli shtoi se Berisha po bën gabim duke sulmuar SPAK-un të cilin sipas tij, duhet ta kishte aleat.
“Janë të paqartë. E ka me Ballukun dhe protestoi para Ramës. Sulmoi pikërisht atë që do të ishte aleati i natyrshëm i opozitës, e do nuk e do, për hir të strategjisë së përgjithshme duhet të jesh aleati i saj dhe aleati i saj në këtë rast është fiks “dhëmbi që i dhemb doktorit sepse e ka dhembin e zbuluar.
Është SPAK-u. Edi Rama është në një kapsulë imuniteti, nuk ka as prokurorë, as gjykatës që do të cenonin zyrën e tij. Ama çfarë është poshtë Edi Ramës do të kalojë njëri pas tjetrit te ai gardhi atje te SPAK-u. Ka një bast të drejtësisë tashmë me zëvendëskryeministren dhe këtu është llogaria dhe këtu është të bësh politikë”, tha Vangjeli.