Nga Julia Vrapi
Muzika e filmave shqiptarë vjen në një mbrëmje këtë fundnëntori. Një mbrëmje, që do të sjellë për publikun muzikën e disa prej filmave të njohur shqiptarë, ku tingujt muzikorë do të marrin jetë përmes interpretimeve simfonike. Tingujt që rrëfejnë kujtesën e një kombi do të vijnë këtë fundnëntori, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në një bashkëpunim mes dy orkestrave më të mëdha shqiptare; Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe Kori i TKOBAP-së. “Në një mbrëmje ku muzika bëhet histori dhe historia përkthehet në emocion, tingujt ikonë të filmave shqiptarë do të marrin jetë përmes interpretimeve simfonike, duke na çuar pas në kohë, aty ku u formësua identiteti ynë artistik e kulturor”, thuhet nga teatri ndër të tjera për këtë mbrëmje muzikore të datës 27 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Muzika e filmave “Nëntori i dytë” një film artistik historik i prodhuar në Shqipëri në vitin 1982, “Tomka dhe shokët e tij” film i vitit 1977 dhe të muzika e të tjerë filmave shqiptarë janë pjesë e kësaj mbrëmje muzikore. Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, kjo natë do të rikthejë në sallë atmosferën e filmave që kanë shënjuar me nostalgji brezat shqiptarë. Gridi Kraja përgjatë aktivitetit të tij ka dirigjuar orkestra të ndryshme si Kosovo Philarmonic, Skopje Philarmonic, Niš Symphony Orchestra, Teatri i Operas dhe Baletit, Mallorca symphony Orchestra, London City Philarmonic etj. Gjithashtu ka dirigjuar me solistë si Rame Lahaj, Tedi Papavrami, Yoanna Goichea, Jonian Kadesha, Shkëlzen Doli, Simon Trpčeski, etj.
Orkestrat në jetën artistike
Dy orkestrat simfonike, ajo e RTSH dhe e TKOBAP-së në një mbrëmje këtë fundnëntori për të përcjellë tingujt e muzikës së filmave shqiptarë, kanë një aktivitet të pasur artistik ndër vite. Orkestra simfonike e TKOB u formua në vitin 1950, së bashku me Filarmoninë e Shtetit. Në të bënin pjesë orkestrantë të përgatitur fillimisht në gjimnazet dhe shkollat e Mesme të Përgjithshme, Orkestra Frymore e Ushtrisë dhe më pas në Liceun Artistik – “Jordan Misja”. Aktiviteti artistik i orkestrës fillon me koncertet dhe shfaqjet si pjesë e Filarmonisë së Shtetit dhe në vitin 1953, orkestra inkuadrohet përfundimisht në TKOB. Orkestra e TKOB gjatë gjithë alendarëve artistik, ka mbajtur peshën më të madhe, që nga fillimi i krijimit të saj e deri sot.
Nga kjo orkestër kanë dalë solistë instrumentistë dhe orkestrantë të talentuar si dhe janë krijuar disa ansamble të muzikës së dhomës. Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral më i madh i kohës. Orkestrantët ishin kryesisht muzikantë të rinj, që studiuan në vend, si dhe nga profesionistë të specializuar jashtë vendit në Pragë, Moskë, Laipcig dhe në disa vende të ndryshme të Europës. Fillimisht u quajt “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë” dhe me pas “Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar”. Krijimi i këtij formacioni të madh muzikor solli një ndikim të menjëhershëm në zhvillimin muzikor në të gjithë vendin, duke sjellë hapa në zhvillimin e përgjithshëm kulturor.
Muzika e filmave shqiptarë këtë fundnëntori në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, tingujt do të marrin jetë…
