Merkatoja politike ka filluar prej kohësh, ku eksponentë të mazhorancës i kanë kthyer sytë nga opozita, pasi SPAK-u u futi në burg “shokët e partisë”. Një nga më aktivet ka qenë padyshim zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Disa nga shokët dhe vartësit e saj janë aktualisht pas hekurave të qelisë, teksa edhe ajo vetë është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Por, kjo s’e ka penguar që të jetë aktive dhe të marrë pas vetes eksponentë të së djathtës, duke i “blerë” rëndom me çfarë të mundet, duke u dhënë të mira materiale duke shfrytëzuar postin që mban. VoxNews ka raportuar më herët kalimin e ”ylberit” të Blendi Sulajt, nga Mediu te Basha e së fundmi në radhët e stafit të ngushtë të Belinda Ballukut, e cila po tenton që të kapë me çfarë të mundet Bashkinë e Tiranës, pas burgosjes së Erion Veliajt.
Sulaj është emëruar prej disa muajsh në postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe detyra e tij është kontrolli i territorit. Ka dyshime të mëdha se emërimi i tij në këtë post është bërë me “bekimin” e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po tenton që të marrë në “dorë” të gjitha lejet në kryeqytet. Tentoi fillimisht me vendimin e afërsisë nga aeroporti, ku çdo firmë dhe institucion duhet të merrte leje te Aviacioni Civil.
Tashmë, pas burgosjes së Veliajt, është vënë në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, duke u dhënë leje atyre që iu binden apo “punojnë” për të në prapaskenë. Dhe, një nga përfituesit e këtyre lejeve me firmë të Belinda Ballukut është vetë Blendi Sulaj.
VoxNews ka faktuar se, pas marrjes së kësaj leje, Balluku e ka emëruar Blendi Sulajn në postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Një emërim që është bërë në tentativë për të futur “hundët” në institucionin më të rëndësishëm të pushtetit lokal. Natyrisht, që pushtetet duhet të jenë të ndarë, ai qendror dhe ai lokal.
Por, në këtë Shqipërinë tonë të vogël, të gjithë merren me punët e të tjerëve, iu duket sikur e bëjnë ata më mirë punët. Apo më rëndom, fusin të besuarit e tyre në postet kyçe. Padyshim që veprimet e Ballukut janë një “grusht poshtë brezit”, pasi duke shfrytëzuar postin dhe firmën si ministre dhe zv.kryeministre, po josh këdo që t’i bashkëngjitet.
VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente, ku rezulton se Blendi Sulaj ka kryer një mori dokumentesh fiktive, duke dhuruar aksione dhe firma që vlejnë miliona euro. Kjo me qëllim që ai të humbte gjurmët nga abuzimet. Një nga rastet më flagrante ka qenë firma “ASINVESTMENT”, në maj të vitit 2021. Firma merrej me ndërtim dhe projektim godinash apo me shit-blerje pronash. Dy vite pasi ai e themeloi, në vitin 2023, Sulaj nënshkruan një deklaratë “dhurimi kuotash”, në favor të Ermal Haxhiajt. Ndërkohë, në muajin mars të vitit 2024, Ermali ia dhuron kuotat nënës së tij, Luanesha Haxhiaj.
Kompania që ai dhuroi dhe kishte kapitale e prona me vlera të konsiderueshme, arrin të marrë një leje më datë 4 tetor 2024. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama dhe me firmë të zv.kryeministres Belinda Balluku, i japin kësaj firme një leje për kullë 15 dhe 20 kate.
“KKTU vendosi miratimin e lejes së zhvillimit për objektin ‘godinë rezidenciale me 15 kate dhe 20 kate mbi tokë dhe 2-7 kate nëntokë’, me vendndodhje në zonën e Liqenit të Thatë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “ASINVESTMENT” sh.p.k”, thuhet në vendim. Pas marrjes së kësaj leje, Blendi Sulaj shfaqet sërish me letra në këtë firmë. Në datën 12 qershor të këtij viti, përfaqësuesi ligjor Albi Peti, emri i të cilit ndodhet në lejen e KKTU-së, largohet nga firma dhe vendin e tij e zë Blendi Sulaj, me një afat deri në vitin 2030.
Veprimet fiktive të Blendi Sulajt vijojnë edhe në javët e fundit. Megjithëse ai del në televizor sikur bën punë për kontrollin e territorit në Tiranë, nën zë dhe në fshehtësi vijon planin e tij, për kryerjen e veprimeve fiktive me firmat që ka në zotërim.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, në datën 16 tetor 2025, Luanesha Haxhiaj firmos një kontratë shitje kuotash në favor të z. Bahri Qordjas, një emër që është përdorur nga Sulaj edhe për kompaninë e parë. Ka dyshime tepër të mëdha se pas Qordjas është pikërisht nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili për të fshehur gjurmët e ndonjë konflikti të mundshëm të interesit, pasi mori leje për kullë 20 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë, bën këto veprime.
Por, mjafton që këto institucione të pyesin punonjësit apo emrat e lartpërmendur dhe do të dalin në konkluzionin se nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ka fshehur pasurinë, po tenton që të pastrojë paratë dhe bën evazion të dukshëm. Nëse do të hetohet ose jo, kjo mbetet për t’u parë, duke qenë se ai është një nga njerëzit më të besuar të eksponentëve të lartë të qeverisë, të cilët i kanë dhënë edhe lejen për kullë.
