Pritet përkeqësim i motit, ministri Vengu: 90 banesa të prekura nga reshjet e shiut në Lezhë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar nga prefekti Tauland Malshi, zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave në Lezhë për të analizuar situatën e reshjeve dhe masat që do të merren në orët në vijim.
Në një deklaratë për mediat, ministri tha se bashkia e Kurbinit është më e rrezikuara, teksa shtoi se 90 banesa janë përmbytur nga reshjet.
Ministri Vengu deklaroi se situata është nën kontroll dhe se janë angazhuar edhe shtesë të ekipeve të Forcave të Armatosura.

Ministri Vengu: Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Komitetit të emergjencave civile për qarkun e Lezhës. Kemi bërë një pasqyrë të situatës, sidomos në përgatitje të një fronti të dytë meteorologjik, që presim në orët në vijim. Siç jeni në dijeni, në orët e para të mëngjesit kemi pasur situata komplekse, sidomos në Bashkinë Kurbin dhe në disa zona urbane të Lezhës. Por, situata është stabilizuar progresivisht. Ka pasur një ndërhyrje nga bordi i kullimit në disa argjinatura. Gjithashtu, kemi pasur edhe vërshime nga lartësitë në Bashkinë Kurbin dhe Njësinë e Milotit, ku na është dashur të ndërhyjmë pranë banorëve në mënyrë që të mos kemi problematika. Ajo që është e rëndësishme të kuptojmë tani është se kemi situata ku na duhet të vazhdojmë ndërhyrjen me fadroma e me ekskavatorë, qoftë në zonën e Fushë-Mamurrasit, apo edhe në zonën e Thumanës. Pra, janë të dyja bashkitë e mobilizuara në terren dhe me një dyfishim të mjeteve në argjinaturat përkatëse. Këto argjinatura kanë tejkaluar kapacitetin dhe në dy vende janë shembur praktikisht.
Duam që ta rehabilitojmë atë zonë në orët në vijim, ndaj dhe kemi kërkuar një shtesë të numrit të mjeteve. Ministria e Bujqësisë është e angazhuar maksimalisht.  Nga ana tjetër, kemi angazhuar edhe shtesë të ekipeve të Forcave të Armatosura. Një skuadër do të jetë në dispozicion të Bashkisë Kurbin. Duam ta rehabilitojmë këtë situatë sa më parë në mënyrë që të mos kemi asnjë fshat të bllokuar. Në këtë momentet, kemi 50 banesa të prekura në zonën e Mamurrasit dhe afërsisht 40 të tjera në Njësinë e Milotit. Kjo e bën praktikisht dhe zyrtarisht Bashkinë e Kurbinit bashkinë më të prekur në rang vendi. Gjithashtu, shohim që në ulësirën perëndimore kemi një situatë ku i kemi në vëzhgim kanalet e ujërave të larta, qoftë në zonën e Tales, qoftë edhe në zonën e Kallmetit. Këto janë në vrojtim në kohë reale në mënyrë që t’i paraprimë ndonjë situate gjatë mbrëmjes. Jemi optimistë se mund ta tejkalojmë pa vështirësi të mëdha. Fuqia punëtore, qoftë e emergjencave civile, qoftë edhe e Forcave të Armatosura, është në terren dhe do të vazhdojë të mbetet në gatishmëri.