Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, i ftuar këtë mbrëmje në një studio televizive, deklaroi se e vetmja mënyrë për të rikthyer demokracinë dhe besimin te proceset zgjedhore është ndryshimi rrënjësor i ligjit elektoral dhe rikthimi te komisionet bipartizane.
Strazimiri theksoi se ligjet zgjedhore janë ‘prishur dhe shkatërruar në mënyrë të njëanshme’ nga mazhoranca, duke sjellë si shembull ndryshimet e vitit 2020 që, sipas tij, u bënë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur me garancinë e ambasadores së SHBA-ve në atë kohë.
‘Është e vetmja mënyrë për të ndryshuar ligjet elektorale që janë bërë në mënyrë, janë prishur, janë shkatërruar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Rasti i fundit ka qenë në 2020-ën kur ndryshuan, prishën marrëveshjen e bërë me garancinë dhe prezencën e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po me bekimin e saj e prishën në parlament.’
Deputeti i opozitës u ndal gjerë në raportet e OSBE-ODIHR, të cilat sipas tij dokumentojnë në mënyrë të qartë degradimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.
‘Rezultati është që sot kemi një ligj elektoral i cili na prodhon këto zgjedhje të cilat raporti i OSBE-ODIHR i konsideron krejtësisht në kundërshtim dhe tejet larg me kriteret minimum të Kartës së Kopenhagenit, ajo që ju thoni retorika e Partisë Demokratike, në fakt janë vetëm fjalët që ka përdorur, strikt fjalët që ka përdorur OSBE-ODIHR-i që prej vitit 2015.’
Strazimiri theksoi se çdo raport ka konstatuar përkeqësim të mëtejshëm të situatës, ndërsa raporti për zgjedhjet e vitit 2025 është, sipas tij, më i rëndi.
‘Problemet bëhen edhe më të mprehta, veçanërisht në rastin e fundit të zgjedhjeve të vitit 2025, dëshmojnë vetë se kanë parë që shteti dhe partia në pushtet ishin shkrirë me njëra-tjetrën, që sistemi i patronazhistëve praktikisht i preu frymëmarrjen votës së lirë, dëshmojnë vetë që kanë parë banda kriminale të përfshira në ditën e votimit… madje dhe në prezencë të kandidatëve, deputetëve, siç ishte rasti i zonjës Vokshi.’
Një tjetër akuzë e rëndë ishte kontrolli i medias, të cilin Strazimiri thotë se OSBE-ODIHR e njeh si problem kritik.
‘Sipas tyre, me të drejtë, thonë që nuk ka më media të lira. Të gjitha kontrollohen nga kryeministri”.
Deputeti demokrat u rikthye te çështja e reformës territoriale, të cilën e konsideroi shembull tipik të manipulimit të hartës zgjedhore sipas interesit të mazhorancës.
‘Reforma territoriale është bërë sipas asaj skemës tashmë të mirënjohur, quhet Gerrymandering, ku qeveria i pret dhe i qep zonat elektorale pa asnjë logjikë ekonomike, tradicionale apo të zakoneve të zonave.’
Ai argumentoi se normaliteti mund të rikthehet vetëm përmes ndryshimit të ligjeve dhe përmes procesit të ri bipartizan që, sipas tij, ka nisur së fundmi.
‘Ligjet sigurisht ndryshohen në parlament tashmë rikthehemi praktikës së mirë që ka pasur Parlamenti Shqiptar, që reformat e rëndësishme zhvillohen në komisione bipartizane I vetmi opsion që mund të nxjerrë produkt duhet të jetë konsensusi, që do të thotë vetoja e opozitës…’
Megjithatë, Strazimiri mbetet skeptik për rezultatin, duke kujtuar përvojat e mëparshme të negociatave të dështuara.
‘Jam skeptik për rezultatet, nëntë muaj janë të gjata. Ne vijmë nga eksperienca të tilla që mbas negociatash dhe negociatash.’
“Të gjitha kontrollohen nga kryeministri”/ Reagon ashpër deputeti: Shkrirja e shtetit, me partinë në pushtet
