Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në një emision televiziv, ka dhënë një vlerësim për situatën aktuale politike, duke e konsideruar opozitën e drejtuar nga Sali Berisha si pengesën kryesore për një alternativë reale ndaj Edi Ramës.
“Berisha nuk është i paaftë, por është i konsumuar dhe i pavotueshëm. Është non grata, është hetuar, është akuzuar; njerëzit e kanë larguar me 1 milion vota. Çdo lider tjetër do kishte më shumë shanse përballë Edi Ramës, por me Berishën në krye nuk prodhohet as shpresë, as entuziazëm,” ka thënë Mërtiri.
Sipas tij, opozita aktuale nuk ka mbështetje popullore reale: “Kanë kaluar muaj nga 11 maji dhe nuk kanë bërë asnjë protestë të madhe. Nëse do kishin popullin pas, do e thërrisnin në shesh dhe do e rrëzonin Ramën. Madje edhe Lulzim Basha bënte protesta çdo dy javë me 40–50 mijë njerëz dhe nuk e rrëzoi dot. Këta pretendojnë ta rrëzojnë me 200 veta?”
Mërtiri e ka cilësuar si “gënjeshtër qesharake” pretendimin se protestat e opozitës çuan në hetimin e Erion Veliajt dhe ka akuzuar PD-në se po ushqen me “lugë bosh” militantët, duke mos realizuar revolucionin që premtoi Berisha.
“Në zgjedhjet e fundit PD humbi mbi 200 mijë vota të djathta; diferenca me PS-në ishte gati 300 mijë. Shumica e atyre që votuan PD e bënë jo për Berishën, por sepse nuk duan Ramën,” ka shtuar analisti.
Në fund, analisti ka vlerësuar punën e SPAK-ut, sidomos hetimin ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku: “SPAK po bën gjëra të mrekullueshme duke hetuar njeriun më të fuqishëm pas Ramës. Balluku është perandori, ka ushtarë dhe gjeneralë pas vetes. Kjo tregon se SPAK po ecën me hapa të matur, por të sigurt.”
“Berisha është pengesa kryesore e opozitës”, analisti godet PD-në:Po ushqeni militantët me lugë bosh, s’ka revolucion..
