Batuta: “Ne burrat ballkanas kur marrim fjalën…”/ Rama: Na jepni mundësinë t’i shërbejmë Evropës! Sugjerimi për Marta Kos

Kryeministri Edi Rama tha sot nga Brukseli (18 nëntor), ku mori pjesë në Forumin e Zgjerimit, se BE-ja duhet t’i japë një shans Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike, qoftë edhe pa të drejtë veto dhe vote, që të jenë anëtarë të Unionit dhe t’i shërbejnë Evropës. 
Teksa u shpreh i nderuar që të adresonte Forumin e Zgjerimit me një fjalë të përveçme në emër të Shqipërisë, kreu i qeverisë falënderoi edhe komisioneren Marta Kos për punën e saj, duke i rekomanduar që të bënte edhe një libër në fund të mandatit, për procesin e realizuar nga ajo për zgjerimin. 
Por kreu i ekzekutivit shqiptar këmbënguli se Unioni duhet t’i japë shans Shqipërisë dhe ta bëjë pjesë me anëtarësim, pasi “vendet e Ballkanit nuk i sjellin më dhimbje koke, por paqe”. 
“Mendësinë e një vendi që ndihet i përgjegjshëm ndaj BE-së ditë për ditë. Nuk kërkojmë asnjë mundësi tjetër veç t’i shërbejmë Evropës dhe Evropa të ketë paqe. Ndjejmë përgjegjësinë e BE-së, që Evropa t’i shërbejë paqes”, tha ai. 
Rama bëri edhe një batutë me “burra ballkanas” për fjalimet e gjata në podiume, teksa i sugjeroi komisioneres Kos bërjen e një libri. 
“Dhe për ta mbyllur, e dini se si shkon puna me burrat ballkanas kur marrin fjalën dhe që thonë do e mbyllim, por nuk e mbyllin, por do ta mbyll vërtetë fjalën time, duke i lejuar vetes një kënaqësi të vogël. Do i japë një këshill Martës (Kos), teksa ajo po shkruan historinë me ne, duhet të sigurohet që edhe historia të shkruajë për të në faqet e saj. ndaj ajo duhet të sigurohet që kur të mbarojë mandati i saj, ajo thjesht do duhet të botojë një libër me titull “Antologjia e plotë e një zgjerimi të bërë nga unë”. Dhe i jap fjalën Martës se në të gjithë lagjen ballkanike që janë dëshmitarë këtu, se do t’i përmbahen me fisnikëri nga pretendimet për të drejtën e autorit për kapitullin e Shqipërisë”, tha kryeministri. 
Në fund, pasi i falënderoi të gjithë për durimin, ai përsëriti se tani s’ka më torturë ballkanase dhe dhimbje koke, duke kërkuar që “Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”. 
“Faleminderit për durimin, është shumë frymëzues për mua, se shumica prej jush vini nga e njëjta lagje, që jeni kaq të duruar, e që tregon se tortura ballkanase po funksionin dhe që tregon se ne jemi gati të bëhemi pjesë e BE-së, pa sjellë dhimbje koke nga Ballkani, por duke i ndihmuar ata që t’i bëjnë ballë procesit të ballkanizimit, që në të vërtetë po ndodh në shumë prej vendeve të tyre”, përfundoi ai.