“Do ngre zërin për dënimin…”/ Një vit nga vrasja e Martin Canit, e ëma në lot: Nuk e meritonte të ikte në këtë mënyrë

Si sot një vit më parë, një ngjarje e rëndë tronditi mbarë opinionin publik. Një sherr banal mes disa të miturisht, i mori jetën 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u godit nga bashkëmoshatari i tij me thikë në zemër.
Ngjarja ndodhi pak metra larg rrethimit të shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në kryeqytet në mesditë ku një grup të rinjsh, e kishin lënë për tu takuar me qëllim për të sqaruar debatet banale të nisura nga rrjetet sociale.
Martini ishte i shoqëruar dhe me një tjetër shok, i cili mori plagë të rënda në trup me thikë, por fatmirësisht sot gëzon shëndet të plotë. Ndërkohë autori i kësaj ngjarje, ndodhet në institucionin e izolimit për të mitur në Kavajë, në pritje të dënimit përfundimtar.
Prokuroria ka kërkuar që 14-vjeçari të dënohet me 25 vite burg, por për shkak të moshës, ligji përcakton që të përfitojë gjysmën e dënimit të parashikuar për veprën penale në ngarkim.
Prindërit e Martin Canit, qytetarë e shokë të tij e aktivistë, u mblodhën në shkollën ‘Fan Noli’ për të nderuar kutjimin e 14-vjeçarit. Mamaja e Martinit, i bën thirrje autoriteteve për të marrë masa me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla.
“Dua ta nis me një falënderim për të gjithë shqiptarët kudo që janë që na kanë mbështetur në kohët më të vështira. Mbush 1 vit që nuk jetoj normal sepse me ikjen e Martinit, gjendja ime vetëm marr frymë dhe vazhdimisht më merret dhe frymëmarrja.
I bëj thirrje të mbrohen fëmijët, të mos heshtin institucionet. Matini ishte një fëmijë… lindi i dukshëm dhe ashtu është përsëri. Iku në mënyre më mizore nga kjo botë. Nuk e meritonte. Dhe nga kush nga një bashkëmoshatar i tij, në vend që të ishin shokë, iu bë armik dhe i mori jetën. Nuk duhet të heshtim, heshtja vret.
Kam shumë fjalë për Martinin, Martini ishte futbollist, i dashur, i ëmbël, i mirë dhe nuk meritonte të ikte në atë mënyrë. Ju lutem institucioneve, mësueseve, psikologëve, të gjithë stafit, të marrin masa dhe mos të neglizhojnë situata të tilla. Mos të kemi fëmijë të tjerë dhe të kos kenë fatin e fëmijës tim apo mua si nënë që po jetoj cdo ditë me dhimbje”.
Lidhur me dënimin që pritet të jepet për autorin e ngjarjes, mamaja e Martinit thotë se janë në pritje dhe se janë të gatshëm për ta apeluar nëse sipas tyre, ai vendim nuk do të jetë i duhuri.“Akoma nuk është marrë vendimi. Jemi në pritje. Unë këtu do jem dhe do e ngrej zërin për fëmijën tim.
A do ta apeloni?
Patjetër!”Ndërkohë prindërit e 14-vjeçarit kanë kërkuar që në shkollën ‘Fan Noli’ të vendoset dhe një stol me emrin e Martinit, apo palestra e shkollës të marrë emrin e tij, pasi Martini ka qenë i angazhuar në futboll. Kjo kërkesë e tyre nuk është pranuar.
“Si mendoni ju, nuk e meritonte Martini një stol apo emrin në palestër sepse ai ka qenë sportist.
Ai e meritonte. Patjetër që kemi bërë kërkesë dhe përgjigja ka qenë negative”.