Komisioni për Kulturën/ Gjekmarkaj: Kalatë janë kthyer në gjellëtore

Trashëgimia kulture, problemet në institucionet e artit në vend, gjendja e Bibliotekës Kombëtare dhe një sërë çështjesh të tjera sollën diskutime në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën në Kuvend.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja prezantoi në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, buxhetin 2026 për institucionin që ai drejton, ndërsa deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj përcolli një sërë kritikash ndaj MTKS dhe qeverisë. “Po e fillojmë me Bibliotekën Kombëtare, e cila rrezikohet nga rastësitë, rrezikohet nga mosha, rrezikohet nga agjentët atmosferikë, nga zjarri, nga shiu, dhe në 12 vite e keni premtuar 12 herë, jo ju, por qeveria, një të re. Nuk ka askund. Nuk dihet”, u shpreh Gjekmarkaj. Ndër të tjera, Gjekmarkaj solli në vëmendje dhe shembjen e Teatrit Kombëtar më parë dhe që nuk dihet kur do mbarojë i riu, por ai u ndal dhe te problemet në sektorin e librit, ligji, etj. Një nga pikat më të forta të kritikës së Gjekmarkajt ishte menaxhimi i trashëgimisë kulturore në vend. Deputeti dënoi ciklin e kthimit të kalave shqiptare në “akçihane” (gjellëtore). “Ende nuk ka një informacion kur do të mbarojë ai cikël i turpshëm, që dikur quhej rrjetëzim, i kthimit të kalave shqiptare në akçihane, ku vjen era supë, era gjellë, era qepë, ku piqet fërrliku Skënderbeg, ku kemi supën Vranakonti, ku kemi pilafin Pal Maneshi.
Të krijohet përshtypja që Shqipëria është bërë falë jush, është e tillë falë jush, kishat dhe xhamiat i keni ndërtuar ju, kalatë po e po, luftërat i keni bërë ju. Jo ju personalisht, ju ndoshta nuk luftoni shumë se edhe mosha tani tek ne bën të vetën, nuk jemi luftëtarë të zot”, u shpreh ai ndër të tjera. Në Komisionin për Kulturën, deputeti i PD Agron Gjekmarkaj u shpreh dhe për gjendjen e mjeruar të Urës së Zogut mbi lumin Mat, një objekt me vlera arkitekturore dhe kulturore, monument historik që po shembet dita-ditës.