Pasqyrë e vjetër shkodrane, prozë poetike nga Ernest Koliqi

Pasqyrë e vjetër shkodrane, prozë poetike nga Ernest Koliqi

Kthye në Shkodër mbas shumë vitesh largese, një ditë qesh i grishun për drekë ke do të afërm të mi. Si mbaroi sofra, më vunë me pushue në zheg në një odëtë gjanë që i hapte dritoret me hekura kah kopshti mbas shtëpie. Gjithkund ngjeti, mbrendë e jashtë, dielli mizor i kulmit të verës derdhte dritë verbuese e vapë zharritëse. Po në atë odë s’hynte aspak vapa e pak fort drita. Ishte fresk. Jo vetëm fresk, por gadi si të ftohtë. Kështu, nemose, mu duk mue. Si një kujtim ditësh të gjata shiu, të shiut dimnor të Shkodrës, rrinte pezull aty mbrendë e më dha një të dridhun të papritun, jo aq në trup sa në shpirt. Këtë përshtypje të çuditshme dimnore në pikë të...