Nga Julia Vrapi
Ndarja e çmimeve dhe konkurset letrare që zhvillohen në vendin tonë kanë qenë herë pas here dhe pjesë e diskimeve nga autorë dhe studiues të letërsisë. Kritikat nuk kanë munguar dhe në drejtim të institucioneve për mënyrën se si zhvillohen konkurset letrare apo dhe ndahen vlerësimet. Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, një nga zërat që here pas here në reagimet e tij ka sjellë në vëmendje probleme të ndryshme në sektorin e librit, çfarë ndodh me konkurset letrare në vendin tonë, etj, në një reagim të fundit të tij flet për tekstin letrar dhe autorin. Studiuesi i njohur i letërsisë Behar Gjoka thotë se kur libri bie në duart e atyre, që ai quan përfaqësues të analfabetizmit asgjësohet teksti dhe autori. “Shpërfytyrim. Kur dija dhe kinse “dijetarët”, përdorin marifetet e pushtetit, vetëm sa çelnikosin sundimin e pushtetit, që nuk ka asnjë lidhje me qytetarin. Kur libri bie në duart e sharlantanëve dhe përfaqësuesve më të zellshëm të analfabetizmit funksional, sigurisht asgjësohet teksti dhe autori”, shprehet Behar Gjoka studiues i letërsisë në një reagim të tij, të cilin e ka ndarë edhe në rrjete sociale. Kritiku dhe shkrimtari Behar Gjoka është nga intelektualët më aktiv në fushën e letërsisë. Si studiues Gjoka herë pas here i rikthehet edhe materialeve që ka shkruar ndër vite për problemet me librin, autorët apo dhe kritikën letrare, por në këtë reagim të tij ai sjell në vëmendje edhe rëndësinë që ka letërsia. “Kur shija e lodhur e mësimdhënësve, që dinë vetëm “të korrigjojnë dhe të ndajnë çmimet” simbas klaneve dhe tarafeve, merret si kriter vlerësimi, letërsia ngjan me “kënetën” e realizmit socialist…Njerëz, horrat e pushtetit, jo vetëm politik, por edhe kulturor dhe letrar, na kanë marrë peng shpirtin, sepse letërsia është e vetmja hapësirë lirie, ku ende marrim frymë…”, shprehet studiuesi Behar Gjoka.
Aktivitete për letërsinë shqipe
Si drejtues i qendrës së studimit “Pjetër Budi”, studiuesi Behar Gjoka ka zhvilluar dhe tryeza shkencore për letërsinë shqipe, problemet dhe zhvillimi i saj. Këto tryeza shkencore bëjnë bashkë autorë dhe studiues të ndryshëm, me kumtesa, pyetje dhe diskutime mbi problematikat e ndryshme të letrave shqipe. Studiuesi Behar Gjoka gjithashtu është i pranishëm në media edhe me artikuj për problematika të ndryshme politike e shoqërore. Behar Gjoka është diplomuar për kritikë letrare në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Në 2002 ai botoi librin e tij të parë “Poetika e Budit”, për të vijuar dhe me të tjerë tituj në vijim. Ndër botimet e tij përmendim: Poetika e Budit – 2002; Proza e Kutelit : studim – 2004; Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe : studim – 2005; Mashtrim i bukur : roman – 2006; Sistemi letrar piramidal : shqyrtime teorike dhe tekstologjike – 2007; Kadare i rilexuar : studim – 2008; Martin Camaj : shkrimtaria e tij – 2010; Kuteli dhe letrarja: studim – 2010; Agim Gjakova, shkrimtari i të dy anëve të kufirit – 2011. Autonomia e kritikës letrare – 2012, etj.
Behar Gjoka: Kur libri bie në duart e sharlantanëve dhe përfaqësuesve më të zellshëm të analfabetizmit funksional…
