Lufta hibride, raporti i Crosettos: Si po tenton Moska të na destabilizojë

Nga Tomasso Ciriaco, Repubblica
Një raport i Ministrisë së Mbrojtjes të Italisë, i përgatitur nga Guido Crosetto, tregon shqetësime serioze për veprimet e Rusisë kundër Italisë dhe Europës.

Dosja qarkullon në tryezën e presidentit Mattarella dhe tek udhëheqës të tjerë, duke paralajmëruar për kërcënimin që quhet “luftë hibride”.

Raporti thotë se Rusia po përdor çdo mjet të mundshëm, nga sulmet kibernetike dhe dezinformimi, te presioni ekonomik, për të dobësuar Perëndimin dhe për të destabilizuar partnerët e saj, duke përfshirë Italinë.
Qëllimi është të ndikojë në politikë dhe shoqëri, duke përdorur lajme të rreme dhe fushata dezinformimi, që mund të ndikojnë opinionin publik, raporton Repubblica.
Italia, sipas raportit, është veçanërisht e ekspozuar në tre fusha kryesore: energjia, infrastruktura kritike dhe ekosistemi politik dhe social.
Për shembull, portet, aeroportet, rrjetet dhe sistemet e komunikimit janë në rrezik. Madje, sulmet me dronë janë identifikuar si një problem real, kryesisht në aeroportet e Veriut të Europës, dhe po shqyrtohet krijimi i një flote dronësh italianë, për t’u mbrojtur.
Raporti evidenton vitin 2024 si një pikë kthese, kur aktivitetet hibride u rritën ndjeshëm në fusha të ndryshme: informatike, diplomatike, ekonomike, kibernetike dhe ushtarake.
Disa llogaritje tregojnë se Italia ka qenë objekt i rreth 10% të të gjitha sulmeve të tilla. Veprimet më të shpeshta përfshijnë sabotime, zjarrvënie pranë zonave strategjike dhe fushata dezinformimi për të ndikuar debatet demokratike.
Si zgjidhje, raporti propozon krijimin e një qendre kombëtare për luftën hibride dhe mobilizimin e një “ushtrie” hakerash që do të jenë nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të përballuar kërcënimet kibernetike dhe operacionet e tjera të Rusisë.
Në thelb, raporti nënvizon se Italia dhe partnerët e saj perëndimorë duhet të jenë vigjilentë dhe të përgatitur për sfidat e një lufte moderne që nuk zhvillohet vetëm me armë, por edhe me informacione, manipulime dhe presion ekonomik.