Debati për projektin “Smart City” ka kaluar kufijtë e transparencës financiare dhe procedurale, duke u shndërruar në një çështje të sigurisë strategjike. Sistemi i ri i monitorimit dixhital q po kërkon të aplikojë kryeministri Edi Rama me urgjencë, i cili do të mbledhë dhe përpunojë të dhëna nga kamerat, radarët dhe sensorët në gjithë territorin shqiptar, është kontraktuar drejtpërdrejt me kompaninë Presight AI nga Emiratet, një kompani që bën pjesë në grupin G42, i cili është akuzuar ndërkombëtarisht për lidhje teknologjike me entitete kineze. Në artikullin e mëparshëm gazeta “SOT” analizoi mënyrën se si qeveria shqiptare i dha kontratën pa tender, përmes një kuadri të veçantë ligjor që e përjashton Presight AI nga procedurat normale të prokurimit, si dhe fakti që memorandumi u nënshkrua në Abu Dhabi nga ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla. Po aq problematike është edhe klasifikimi “sekret” i marrëveshjes, i cili e ka lënë të paqartë se çfarë aksesesh teknike dhe juridike merr kompania e huaj mbi sistemin.
Alarmi i SHBA
Këtu qëndron burimi i shqetësimit të SHBA-ve. Pra te karakteri i kompanisë zbatuese dhe aftësia e saj për të pasur qasje teknike në një rrjet vëzhgimi që mbledh në kohë reale të dhëna mbi lëvizjet në rrugët dhe qytetet e vendit. Presight AI është pjesë e G42, e cila në të kaluarën ka bashkëpunuar me kompani kineze dhe është akuzuar për lidhje me inteligjencën kineze. SHBA kanë shprehur rezerva për teknologjitë ku përfshihen kompani të tilla, duke paralajmëruar për rrezikun e ekspozimit të sistemeve survejuese ndaj depërtimit të palëve të treta. Sistemi “Smart City” është projektuar të funksionojë përmes rrjeteve të kamerave dhe radarëve që identifikojnë targat, fytyrat dhe lëvizjet e automjeteve. Të gjitha këto të dhëna pritet të centralizohen në një platformë të vetme. Nëse qasja teknike, përditësimet e softuerit apo mirëmbajtja varen nga kontraktori i huaj, krijohet mundësia që informacioni i mbledhur të jetë i aksesueshëm jashtë Shqipërisë. Pikërisht ky skenar shihet nga SHBA si rrezik për sigurinë kombëtare dhe për operacionet e aleatëve. Shqipëria është vend ku lëvizin shpesh struktura ushtarake të NATO-s, ekipe të shërbimeve partnere dhe personel i institucioneve perëndimore. Në logjikën e Washingtonit, një sistem vëzhgimi që përpunon të dhëna mbi qarkullimin dhe aktivitetet në terren nuk mund të jetë i lidhur me kompani që konsiderohen potencialisht të ekspozuara ndaj ndikimit kinez, sidomos kur informacioni ka natyrë sensitive.
Rreziku
Edhe pse qeveria ka deklaruar që të dhënat do të jenë “nën kontroll të plotë të palës shqiptare”, shqetësimi i aleatëve lidhet me faktin se sistemet moderne të survejimit funksionojnë përmes cloud-it, përditësimeve të shpeshta dhe moduleve të zhvilluara nga kompania amë. Këto elemente krijojnë varësi teknologjike, dhe nëse ekziston një “derë e pasme”, ajo mund të përdoret për të sinkronizuar apo ekstraktuar të dhënat pa dijeninë e autoriteteve vendase. Në këtë kontekst, SHBA e konsideron projektin “Smart City” si një pikë potenciale të cenueshmërisë teknologjike për një vend të NATO-s. Rreziku nuk lidhet vetëm me përdorimin e teknologjisë, por me menaxhimin e informacionit dhe me origjinën e kompanisë që zotëron infrastrukturën. Ky është edhe motivi pse marrëdhëniet dypalëshe rrezikojnë të preken. Për SHBA, çdo vendim që vendos një aktor arabo-kinez në qendër të sistemit të vëzhgimit të një vendi aleat krijon pasiguri në vlerësimin e ekspozimit të personelit të saj në terren. Nëse operatori i sistemit ka lidhje të mëparshme me teknologji kineze, dyshimet shtohen edhe më shumë. Për pasojë, projekti “Smart City” nuk vlerësohet vetëm si investim teknologjik, por si një vendim që mund të ndikojë në besimin strategjik mes Shqipërisë dhe partnerëve perëndimorë. Për SHBA, çështja është e thjeshtë: një rrjet vëzhgimi që regjistron lëvizjet brenda territorit të NATO-s nuk duhet të jetë i kontrolluar apo i aksesueshëm, qoftë edhe teknikisht, nga kompani që lidhen me vende që konsiderohen jomiqësore.
Skandali me “Smart City”, SHBA në alarm, projekti i Ramës për t’i dorëzuar arabo-kinezëve vëzhgimin mbi Shqipërinë…
