Nga Julia Vrapi
“Gruaja me sirtarë” një dramë shqiptare është ndër premierat teatrore këtë sezon artistik. Shfaqja është produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, për të cilën artistët dhe regjisorja Suela Bako kanë nisur provat. Premiera e re produksion i këtij teatri në Durrës është dhe një tjetër bashkëpunim me shkrimtaren dhe aktoren e mirënjohur Anisa Markarian. Nën drejtimin e regjisores Suela Bako, po zhvillohen provat për vënien në skenë të dramës “Gruaja me sirtarë” me skenografi e kostumografi nga Alketa Tragaj Myshketa e nën interpretimin e aktorëve të njohur Mimoza Marjanaku dhe Romir Zalla. ““Drama sociale “Gruaja me sirtarë” trajton historinë e Vesës, një grua me fëmijëri të trazuar dhe një jetë bashkëshortore të dhunshme e të nënshtruar, e cila gjen forcën të rimëkëmbet psikologjikisht për të rivënë në vend dinjitetin e cënuar”, shprehet teatri “Aleksandër Moisiu” në një material rreth premierës, që do të jetë këtë muaj për publikun. Premiera teatrore “Gruaja me sirtarë” do të vijë për të gjithë artdashësit gjatë muajit nëntor në sallën e QKF Durrës, për shkak të rikonstruksionit të godinës së Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”. Suela Bako, Romir Zalla dhe Mimoza Marjanaku janë tre artistë të njohur të jetës artistike në vend dhe për publikun edhe në prezantimet e tjera më parë në projekte të ndryshme teatrore kanë marrë vlerësimin e tij. Drama premierë “Gruaja me sirtarë” do të shfaqet këtë nëntor për publikun në datat 24 dhe 25 nëntor.
Bashkëpunime të autores Anisa Markarian më parë me teatrin
Ndër bashkëpunimet e tjera më parë të këtij teatri me Anissa Markarian përmendim dhe dramën “15 ditë prilli”, që rrëfen trazirat në ditët e fundit të një sistemi totalitar dhe shënoi premierë në skenën teatrore në muajin mars këtë vit. Bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores së njohur Anisa Markarian, kjo shfaqje teatrore me regji nga Driada Dervishi ishte edhe premiera e parë për këtë vit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Drama “15 ditë prilli” që u shfaq në skenën e teatrit të Durrësit ka vijuar dhe në skena të tjera nëpër teatrot në vend. Anisa Makarian lindi në Tiranë më 4 korrik 1962. Me gjithë prirjet për artin, sidomos për letërsinë e kinematografinë, ajo kreu studimet për mjekësi e punoi si mjeke anesteziste-reanimatore në Spitalin Nr. 2 të kryeqytetit deri në vitin 1991, kur emigroi në Francë. Krijimtarinë në letërsi e kinematografi e shpreh që në rininë e hershme. Anisa Markarian ka interpretuar edhe role të ndryshme në filma. Disa nga tregimet e saj të para u botuan në vëllimet “Stina e gonxheve” (përzgjedhje me proza nga autorë të rinj, Sh. B. Naim Frasheri, 1990) dhe Jetë tjetër (antologji me krijime nga autorë mjeke, Neraida 2001). Në vitin 1999 boton librin e parë, “Sënduku i kujtimeve”, përmbledhje tregimesh (botime Çabej). Romani “15 ditë prilli” është libri i saj i dytë.
Drama sociale “Gruaja me sirtarë” vepër e autores Anisa Markarian këtë nëntor premierë në skenën teatrore
