Shit-blerje jashtë bursës/ Bardhi denoncon një tjetër aferë: Balluku në hetim nga SPAK edhe për energjinë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emision ka komentuar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila prej javësh është marrë e pandehur nga SPAK. Ai akuzoi se çështjet në hetim përfshijnë dëme të mëdha ekonomike dhe se vetë ka rol kallëzues në disa prej tyre.
Sipas Bardhit, problemi i madh i qeverisjes aktuale lidhet me procedurat që, sipas tij, kanë sjellë përfitime të paligjshme. “E keqja e këtij vendi është Balluku që vjedh 50 milionë euro me një procedurë. Nuk mund t’i shpëlajmë trurin njerëzve që mirë këta vjedhin, por ka probleme opozita,” deklaroi ai, duke theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te shkeljet që ai pretendon se jenë kryer nga zëvendëskryeministrja.
Ai u shpreh se ndaj Ballukut janë duke u hetuar disa çështje nga SPAK: “Balluku ka të paktën 4-5 çështje që janë nën hetim. E di sepse jam kallëzues dhe kam marrë informacion nga prokuroria që këto çështje janë aktive.”
Një prej hetimeve, sipas tij, lidhet me skemën e shitblerjes së energjisë.
Bardhi akuzoi se Balluku ka nënshkruar një urdhër që ndalon shitblerjen e energjisë në bursën shqiptare, duke favorizuar procedura jashtë bursës që, sipas tij, kanë prodhuar humbje masive për shtetin. “Kjo ka sjellë dëm në një vit plot 180 milionë euro,” tha ai, duke shtuar se 3–4 kompani përfitojnë nga këto procedura duke blerë energji me çmim të ulët e duke e shitur më shtrenjtë, duke shmangur rregullat e bursës.
“Balluku ka të paktën 4-5 çështje që është nën hetim nga SPAK. E di sepse jam kallëzues dhe kam marrë informacion nga prokuroria që këto çështje janë nën hetim. Bëhet fjalë për shitblerjen e energjisë. Balluku ka firmosur një urdhër që mos të ketë shitblerje energjie jashtë bursës së Shqipërisë dhe gjithë procedurat bëhen jashtë burse dhe kjo ka sjellë dëm në një vit plot 180 milionë euro. Janë 3-4 kompani që i nxjerr Belinda nga xhepi sa herë i duhen për këtë procedurë që blejnë energji me çmim të ulët dhe e sheshin me një çmim shumë të lartë, ndaj shmangin bursën e energjisë.
Së dyti ka një procedurë tenderimi të bërë nga zonja për ndërtimin e një parku fotovoltaik në digën e Zadejes ku kam gjetur të dhëna se për të njëjtin projekt, me të njëjtën fuqi, privatit i ka kërkuar 3 mln euro, zonja e ka marrë këtë shërbim për 8 mln euro. Të dyja projektet janë të njëjta, nga e njëjta kompani, por kur e ofron për Belindën zhduken 5 milionë. Vetë SPAK kishte hapur një tender për fotovoltaik në tarracë për të marrë energji elektrike që kishte të njëjtin çmim ofertues sa e kishte marrë privati në rastin e parë. E kanë provuar vetë. Kjo ndërtohet me 2 lekë, zonja e ka bërë me 5 lekë”, tha Bardhi.