Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi dje në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, projektbuxhetin për vitin 2026 për sektorin e bujqësisë, i cili parashikohet të arrijë në 16,3 miliardë lekë, shuma më e madhe e akorduar ndonjëherë. Ministri Salla vlerësoi se ky buxhet është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgatitjen për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. “Projektbuxheti për vitin 2026 është një angazhim i qartë për forcimin e sektorit bujqësor, mbështetjen e fermerëve dhe krijimin e mundësive për një zhvillim me standarde evropiane.
Ky buxhet synon rritjen e eksporteve, cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke siguruar një bujqësi moderne që mund të përballet me sfidat e së ardhmes”, tha ministri Salla gjatë prezantimit. Një nga elementët kyç të projektbuxhetit është rritja e financimeve për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, e cila do të mundësojë rehabilitimin e 360 mijë hektarëve tokë të ujitur deri në vitin 2030. Ky projekt do të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe uljen e rrezikut për fermerët nga kushtet klimatike. Ministri theksoi gjithashtu rritjen e investimeve për sigurinë ushqimore me 79,5%, si dhe zhvillimin rural, me 7,7 miliardë lekë të dedikuara për modernizimin e fermave dhe nxitjen e agroturizmit. Një tjetër masë e rëndësishme është skema fiskale “faturo dhe përfito”, që ofron kompensim të TVSH-së në masën 10% për çdo fermer që regjistron shitjet me faturë. Kjo masë, nënvizoi ministri, synon të inkurajojë formalizimin e ekonomisë bujqësore, duke mundësuar akses në financa dhe sigurime, si dhe përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe cilësisë. Buxheti gjithashtu përfshin investime për rritjen e eksporteve dhe garantimin e cilësisë së produkteve shqiptare për tregjet e BE, duke u fokusuar në gjurmueshmërinë dhe kontrollin e prodhimit “nga ferma në tavolinë”. Ministri Salla shprehu besimin se ky projektbuxhet do të sjellë një bujqësi më të qëndrueshme, me më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik në zonat rurale.
“Me këto investime, Shqipëria është më pranë realizimit të objektivit për 1 miliard dollarë eksporte bujqësore dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë”, theksoi ministri. Në 10 vitet e fundit, mbështetja e qeverisë për sektorin bujqësor ka ardhur gjithnjë në rritje dhe ka mundësuar ruajtjen e dinamikës pozitive. Kjo tregohet nga shifrat zyrtare, ku eksportet agroushqimore arritën në 53,2 miliardë lekë në vitin 2024. Për 9-mujorin e këtij viti, eksportet kanë arritur në 41,4 miliardë lekë, ose 7,4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Kjo s’është rastësi: skemat e mbështetjes janë zgjeruar nga 11 mijë përfitues në mbi 71 mijë fermerë e agropërpunues. Kjo do të thotë formalizim, dinjitet pune dhe besim te shteti”, deklaroi ministri Salla.
Salla: Rritje e mbështetjes për Bujqësinë në projektbuxhet, kompensim 10% i TVSH-së për fermerët
