16 ditë në protestë për të birin, nëna e viktimës së Novi Sadit i jep fund grevës

Ditën e sotme, Diana Hrka, nëna e Stefanit, një prej 16 viktimave të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, njoftoi ndërprerjen e grevës së urisë që kishte nisur 16 ditë më parë.

Në një deklaratë para mediave, Hrka tha se vendosi të ndalojë këtë formë proteste pas thirrjeve të shumta të studentëve dhe qytetarëve.
“Të gjallë mund të bëj më shumë, nuk do ta zhgënjej popullin tim”, deklaroi ajo dhe njoftoi se do të vazhdojë të qëndrojë jashtë Kuvendit të Serbisë.

Diana Hrka e filloi grevën e urisë më 2 nëntor, duke kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e të birit dhe 15 personave të tjerë, lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ajo kishte planifikuar të protestonte para hyrjes kryesore të Kuvendit, por autoritetet ia ndaluan, sepse që nga marsi i kaluar hapësira është shndërruar në kamp mbështetësish të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Tragjedia ndodhi më 1 nëntor 2024, kur vetëm katër muaj pas inaugurimit zyrtar, tenda e jashtme e stacionit të rindërtuar u shemb, duke marrë jetën e 16 personave.

Që prej asaj dite, Serbia është përfshirë nga protesta të vazhdueshme, të udhëhequra kryesisht nga studentët, të cilët për gati një vit mbajtën të bllokuara të gjitha fakultetet e universiteteve publike. Ata akuzojnë korrupsion dhe mungesë transparence dhe kërkojnë që përgjegjësit e vërtetë për katastrofën të dalin para drejtësisë.