Në Tetor 2025, eksportet e mallrave arritën në 31 mld lekë, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1.0% krahasuar me Tetorin 2024 dhe një rritje mujore 14.5% krahasuar me Shtatorin 2025.
Gjatë dhjetëmujorit Janar-Tetor 2025, eksportet ranë në 291 mld lekë, duke shënuar një tkurrje prej 7.0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia vjetore në dhjetë muaj u ndikua kryesisht nga grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, ndërsa pozitivisht ndikuan grupet “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”.
Importet e mallrave në Tetor 2025 arritën në 80 mld lekë, me një rritje vjetore prej 3.6% dhe një rritje mujore 6.3%. Për dhjetëmujorin, importet u ulën lehtë në 737 mld lekë, me një rënie prej 0.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja vjetore e importeve u mbështet nga grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Produkte kimike dhe plastike” dhe “Tekstile dhe këpucë”, ndërsa negativisht ndikoi grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Deficiti tregtar në Tetor arriti 49 mld lekë, duke u rritur 5.4% nga një vit më parë dhe 1.6%, krahasuar me Shtatorin 2025. Për dhjetëmujorin, deficiti arriti 445 mld lekë, një rritje prej 3.8%.
Ecuria sipas vendeve partnere tregon se eksportet në Tetor u rritën më shumë drejt Greqisë me 10%, SHBA-së me 5 herë dhe Spanjës me 28.9%, ndërsa u ulën më shumë drejt Italisë me 13.2%, Kosovës me 2.7% dhe Gjermanisë me 0.9%. Për dhjetëmujorin, eksportet shënuan rritje më të madhe drejt Greqisë, Gjermanisë dhe Spanjës, ndërsa ranë më shumë drejt Italisë, Kosovës dhe Kinës.
Sa i përket importeve, në Tetor u rritën nga Italia me 6.1%, Kina me 31.2% dhe Greqia me 4.2%, ndërsa u ulën nga Turqia me 20.3%, Gjermania me 2.4% dhe SHBA me 33.4%. Për dhjetëmujorin, importet u rritën nga Kina, Greqia dhe Spanja, ndërsa u ulën nga Italia, Turqia dhe Gjermania.
Produktet shqiptare, më shumë drejt Spanjës e Greqisë
