Berisha: Pallati i krimit ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur mbrëmjen e sotme në protestën qytetare inauguroi atë që ai e quajti ‘platforma parlamentaro-qytetare’, e ngritur simbolikisht përballë godinës së Kryeministrisë, të cilën ai e cilësoi ‘pallati i krimit’.
Në fjalën e tij para mbështetësve të opozitës, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për transformimin e shtetit shqiptar në ‘narkoshtet’, për largimin masiv të qytetarëve dhe për përdorimin e pasurive publike dhe pushtetit për ‘plaçkitje dhe sundim’.
Ai deklaroi se kjo platformë synon të kthejë qytetarët në aktorë të drejtpërdrejtë të betejës politike dhe se opozita po përballet me ‘tonelata euro drogë’ dhe një ‘ushtri patronazhistësh’ që deformojnë zgjedhjet.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, të pranishëm sonte në këtë foltore parlamentare qytetare dhe kudo që jeni.
Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës.
Miqtë e mi.
Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash.
Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal.
Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit.
Para pallatit të krimit shtetëror, ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin.
Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare.
Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa.
Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.
Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës.
U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve. Terroristë të votës.
U përballën me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike, të gjithanshme të shtetit mafioz, të narkoshtetit vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është frikë, tmerr nga krimet që kanë kryer.
Berisha: Pallati i krimit ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën
