Prej orës 18:00 ka nisur protesta e thirrur nga opozita para Kryeministrisë. Në fjalën e tij kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar këtë protestë nisjen e një misioni historik.
“Edvin je i pashpresë, fundi yt nga ky shesh do të vijë. Të dashur miq, ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë, i cili shtyp opozitën, i cili në të vërtetë është i kalbur nga koka tek këmbët dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për ta arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do të mbahet në këmbë me SPAK-un e partisë, që do të mbahet në këmbë me dhunë, terror, me blerje, shitje dhe pazare. Idealët janë forcë nukleare e njeriut. Janë forcë së cilës asgjë nuk i reziston. Ju ftoj në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë”, tha Berisha.
Më tej kryedemokrati tha se ky mision do të vijojë deri në largimin e qeverisë dhe rikthimin e votës së lirë.
“Ne do të vijmë këtu deri në largimin e tyre, deri në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Nuk ka mision më të shenjtë, nuk ka forcë në botë që do të na ndalojë ne pa përmbushur këtë mision”, u shpreh Berisha.
