‘Rama i pamëshirë’/ Berisha: Deklaroi se të sëmurët me kancer mbetën pa ilaçe se ishin shumë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në protestën e thirrur para kryeministrisë, e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si njeri të pamëshirë, pasi qeveria ka lënë sipas tij, pa ilaçe të sëmurët me kancer.
Sipas Berishës, Rama ka justifikuar problemin me furnizimin e barnave për pacientët me kancer duke thënë se mungesa e ilaçeve erdhi pasi pacientët ishin shumë.
“Edi Rama me cinizmin më ekstrem, deklaroi se të sëmurët me kancer mbetën pa mjekime se ata ishin shumë dhe ne nuk kishim para”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se përdor fondet për udhëtime me “avion taksi” me kosto 22 milionë euro, makina luksoze dhe shishe vere të shtrenjta.
Berisha: U hodh poshtë interpelanca me ministren e shëndetësisë që duhet t’u shpjegonte qytetarëve pse mbetën në kthetrat e vdekjes shqiptarët me sëmundje të rënda për shkak të ilaçeve. Dy ditë më vonë, Edi Rama me cinizmin më ekstrem, deklaroi se të sëmurët me kancer mbetën pa mjekime se ata ishin shumë dhe ne nuk kishim para.
A ka krim më të shëmtuar se ky. Sigurisht që para kishte, dhe jo aq sa kërkonin ata, por ju garantoj se kishin 10 herë më shumë. Mungesa e atyre ilaçeve përbën një krim, por paratë i përdor Rama për t’i depozituar në banka ofshor, për të udhëtuar më avion taksi 22 milionë euro.
Paratë i përdor ai për të blerë makina luksoze, shishe verë 34 mijë euro. I transporton me avionin e tij dhe për të sëmurët nuk mbeten para, por dënimi i asaj sëmundjeje. Ndaj e mbyll parlamentin se do që këtë të mos thuhen e të mos i marrin vesh qytetarët.